GJERMANI-Kryeministri Edi Rama ndodhet në Gjermani në kuadër të një vizite zyrtare. Rama e nisi vizitën e tij në Duseldorf të Gjermanisë me një takim me kryeministrin e landit gjerman Nordrhein-Westfalen, Hendrik Wüst. Në takim u diskutua për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe një prej rajoneve më të fuqishme ekonomike e industriale të Gjermanisë.
Rama do të marrë pjesë në “Ruhr Summit”, ku pritet të mbajë fjalën në panelin kryesor me temë “IA, Fuqia dhe Progresi: Rishikimi i Lidershipit për një Epokë të Re”, ku do të trajtohen sfidat dhe mundësitë e inteligjencës artificiale në zhvillimin global.
Në vijim të agjendës, Kryeministri do të jetë pjesë e diskutimit me temë “IA mes Inovacionit, Rregullimit dhe Përgjegjësisë”, së bashku me përfaqësues të njohur të sektorit të teknologjisë, biznesit dhe konsulencës ndërkombëtare.