TIRANË-Kreu i SPAK, Klodian Braho ka raportuar sot në mbledhjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Braho sqaroi se SPAK nuk ka mandat për të vlerësuar procesin politik apo rezultatin e zgjedhjeve, por ushtron ndjekje penale vetëm për veprat që lidhen me korrupsionin zgjedhor, siç përcaktohet nga Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale. Braho tha se problematika të përsëritura mbeten shitblerja e votës, presioni ndaj zgjedhësve dhe përdorimi i burimeve administrative, sipas edhe raporteve të OSBE/ODIHR.
Hetimi i krimit zgjedhor sipas Brahos duhet të përfshijë jo vetëm SPAK, Prokurorinë e Përgjithshme dhe KQZ-në, por edhe Policinë e Shtetit, Agjencinë e Inteligjencës Financiare si dhe institucionet e tjera ligjzbatuese që kanë rol në verifikimin e indicieve, në gjurmimin e burimeve financiare dhe në dokumentimin e rasteve. Gjatë fjalës së tij, Braho u shpreh gjithashtu se mekanizmi i bashkëpunimit SPAK-KQZ duhet të fillojë 4 muaj para votimeve.
Ai sugjeroi që reforma zgjedhore të përfshijë një strategji kombëtare për krimin zgjedhor, një mekanizëm të përhershëm bashkëpunimi ndërinstitucional dhe rishikim të politikës penale për veprat më të rënda zgjedhore.
Klodian Braho: Përvoja tregon se krimi zgjedhor nuk është vetëm çështje e një institucioni dhe nuk trajtohet vetëm nëpërmjet reagimit penal pas kallëzimit. Ai kërkon një qasje të integruar, ku parandalimi, monitorimi administrativ, raportimi qytetar, verifikimi policor, hetimi penal dhe kontrolli financiar të funksionojnë si pjesë e të njëjtit mekanizëm institucional. Së dyti, protokolli i bashkëpunimit ndërinstitucional duhet të kalojë nga një instrument i përkohshëm për një cikël zgjedhor, në një mekanizëm të qëndrueshëm dhe të përhershëm të normuar me ligj. Ky mekanizëm duhet të përfshijë jo vetëm SPAK, Prokurorinë e Përgjithshme dhe KQZ-në, por edhe Policinë e Shtetit, Agjencinë e Inteligjencës Financiare si dhe institucionet e tjera ligjzbatuese që kanë rol në verifikimin e indicieve, në gjurmimin e burimeve financiare dhe në dokumentimin e rasteve. Gjithashtu, bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të aktivizohet më herët dhe të zgjasë më gjatë.
Së treti, mund të vlerësohet rishikimi i politikës penale për format më të rënda të krimit zgjedhor. Kjo nuk duhet kuptuar si rritje mekanike e dënimeve për çdo rast, por si nevojë për të vlerësuar nëse marzhet aktuale të dënimit janë të përshtatshme për rastet kur vepra kryhet në bashkëpunim apo më shumë se një herë. Gjithashtu individualizimi i dënimit duhet të diferencojë zgjedhësin vulnerabël, përfaqësuesin e subjekteve politike, kandidatin dhe shtabin e tij elektoral, financuesin e fushatës, zyrtarin e lartë apo nëpunësin publik. Sa më i lartë të jetë roli organizues, politik, administrativ ose financiar i personit, aq më i qartë duhet të jetë edhe reagimi penal.