
TIRANË- 10 Komisionet Parlamentare që parashikohen të mbahen këtë të martë, pritet të mblidhen online, për shkak të aksionit të opozitës për bllokimin e tyre. Ishte Kuvendi i Shqipërisë që publikoi pasditen e djeshme një vendim të Konferencës së Kryetarëve të marrë më 1 nëntor për zhvillimin e mbledhjeve online të komisioneve parlamentare, një vendim që kontestohet nga opozita si i paligjshëm.
“Për shkak të situatës së krijuar, mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe organeve të tjera të Kuvendit mund të zhvillohen online…,” thuhet në pikën 4 të vendimit të publikuar në faqen e Kuvendit. Por para se vendimi të bëhej publik, komisionet parlamentare bënë disa mbledhje online vetëm me praninë e deputetëve socialistë, pasi deputetët e opozitës tentuan të bllokonin zhvillimin e tyre fizikisht në shenjë proteste për rrëzimin e disa kërkesave për komisione hetimore dhe përfaqësim në komisionin e reformës zgjedhore.
Në shumicën e komisioneve është parashikuar që të diskutohet në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2024, një prej çështjeve më të rëndësishme për të cilat do të duhet që të shprehen deputetët. Vendimi që mbledhjet të mbahen online, u mor pa praninë e opozitës në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të datës 1 Nëntor.
Vetëm pjesa e parë e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ishte publike, ndërkohë që në njoftimin e Kuvendit të kësaj date nuk përmendej ky vendim, por vetëm vendimet për kalendarin e shqyrtimit të projekt-buxhetit dhe draft-programin e punimeve të Kuvendit për periudhën 6 nëntor -24 nëntor 2023.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN për vonesën e publikimit të vendimit dhe për argumentimin ligjor ku është bazuar, ndërsa shefi i saj kabinetit, Kosta Bajraba i tha BIRN se “publikimi do të bëhet sipas rregullores”, por nuk dha përgjigje për bazën ligjore./Zëri.ai