Politikë

Lufta në Gaza, Rama: Kontrollin pas armëpushimit ta marrë Liga Arabe

Edi Rama shkruan se Shqipëria qëndron me vendosmëri në krah të Izraelit, teksa shton se është i shqetësuar lidhur me shkatërrimin që po ndodh në Gaza.

E.K
Lufta në Gaza, Rama: Kontrollin pas armëpushimit ta marrë Liga
Rama duke folur jashte kryeministrise

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, thotë se Shqipëria bashkohet me thirrjen e Presidentit amerikan, Joe Biden për një armëpushim humanitar për mbrojtjen e civilëve në Gaza. Rama shkruan se Shqipëria qëndron me vendosmëri në krah të Izraelit, teksa shton se është i shqetësuar lidhur me shkatërrimin që po ndodh në Gaza.

Në një postim në “X”, kryeministri Rama thotë se së shpejti do të bashkohet me liderët e tjerë botërorë në Forumin e Paqes në Paris, ku do të diskutojmë mënyrat për rivendosjen e paqes në Lindjen e Mesme.

“Qëndrojmë me vendosmëri me Izraelin kundër Hamasit, e po ashtu shumë të shqetësuar për vuajtjet e civilëve dhe shkatërrimin që po ndodh në Gaza. Është e rëndësishme që t’i jepet fundit këtij konflikti para se ai të përshkallëzohet më tej dhe të dalë jashtë kontrollit. Shqipëria bashkohet me thirrjen e Biden për një armëpushim humanitar.

Në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm, Liga Arabe dhe Turqia duhet të sigurojnë lirimin e pakushtëzuar dhe të sigurt të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi. Pas krimeve makabre më 7 Tetor, nuk mund të ketë të ardhme politike për Hamasin.

Sipas OKB-së, një forcë ndërkombëtare që do udhëhiqet nga Liga Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar një kalim të përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi te Autoriteti Palestinez. Së shpejti do të bashkohem me liderët e tjerë botërorë në Forumin e Paqes në Paris, ku do të diskutojmë mënyrat për rivendosjen e paqes në Lindjen e Mesme,”- shkruan Rama në Twitter.

Sot bëhet muaji nga dita kur në Izrael u vranë 1,400 njerëz, kryesisht civilë, në komunitetet e tyre. Më shumë se 200 të tjerë u rrëmbyen dhe u dërguan në Gaza për t'u mbajtur si pengje. Izraeli thotë se sulmet e tij dhe ofensiva tokësore në Gaza do të shkatërrojnë Hamasin dhe kërcënimin që paraqet për ta, por thekson që po punon për të minimizuar viktimat civile. Më shumë se 10,300 njerëz janë vrarë në Gaza, duke përfshirë më shumë se 4,100 fëmijë./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB