TIRANË-Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, ka miratuar një Kod të ri Etike, mbi standardet e sjelljes që duhet të respektojnë punonjësit brenda dhe jashtë institucionit. Në kodin e ri renditen rregullat e sjelljes që duhet të zbatojnë nëpunësit brenda dhe jashtë institucionit, me qëllimin për të mos cënuar imazhin e administratës.
Disa nga rregullat lidhen me paraqitjen e punonjësve në vendin e punës, ku sipas dokumentit, nëpunësit duhet të paraqiten në mënyrë serioze dhe të shmangin veshjet ekstravagante, ato sportive dhe makiazhin e tepruar. Gjithashtu, nuk lejohen veshje, simbole apo elemente të tjera që shprehin bindje politike.
Kodi përcakton rregulla edhe për përdorimin e telefonave celularë gjatë takimeve me ministren, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtuesit e tjerë të institucionit, ku theksohet se gjatë mbledhjeve telefonat duhet të jenë të fikur ose në modalitet pa zë.
Rregullat e reja, përfshijnë gjithashtu ndalimin e kërkimit ose pranimit të dhuratave, shpërblimeve, favoreve dhe përfitimeve të tjera, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kur ato ndikojnë ose mund të krijojnë perceptimin se ndikojnë në paanshmërinë e ushtrimit të detyrës.