
TIRANË- Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është kthyer në Romë për të folur lidhur me marrëveshjen e emigrantëve dhe dy qendrat që do të mirëpresin azilkërkuesit afrikanë në ish-bazën ushtarake të Gjadrit. "Dritaren" për të diskutuar lidhur me këtë çështje e gjeti në emisionin e gazetarit Bruno Vespa, “Porta a Porta”, ku edhe shprehu besimin se në Shqipëri do të gjejë një zgjidhje përfundimtare çështja e emigracionit të paligjshëm.
Fillimisht, adresoi kritikat për investimin e 670 milionë eurove për të ndërtuar këtë bazë në Shqipëri.
"Me Shqipërinë, ne investuam 670 milionë për 5 vjet, rreth 134 milionë në vit. Kur thua “këto para duhet të ishin përdorur për sektorin e shëndetësisë, në fakt thoni diçka krejt qesharake, sepse nëse i sjellim të njëjtët emigrantë në Itali, ata paguhen nga shteti,"-tha Meloni.
Më pas, sipas mediave italiane, u fokusua tek fenomeni i emigracionit.
“Të lë të vijnë njerëz ilegalisht dhe krimi i organizuar të vazhdojë dhe të bëjë para? Jo, kjo nuk ndodh nën qeverisjen time. Kam njoftuar në Këshillin e Ministrave se do të duhet të rishikojmë legjislacionin për të parandaluar atë që kemi parë të ndodhë. Nuk do të përdoren më flukset e emigrantëve të rregullt që duhet të vijnë këtu për të punuar si punëtorë sezonalë, për shembull në bizneset tona bujqësore, për të sjellë njerëz ilegalisht dhe për të fituar para për krimin e organizuar. Jo me qeverinë time! Ithtarët e emigracionit të paligjshëm masiv, ata të opozitës që na këshillojnë t’i pranojmë të gjithë këtu dhe që po na bëjnë këtë opozitë të egër, e kuptojnë mirë se për çfarë po bëhet fjalë. Tani të gjithë e kuptojnë vlerën e kësaj nisme. Nuk më habit fakti që të majtët italianë përpiqen të na vendosin shkopinj nën rrota sepse ata gjithmonë kanë synuar që ne të mos arrijmë të zgjidhim problemin e emigracionit të paligjshëm duke penguar çdo iniciativë, marrëveshjen me Tunizinë, atë me Egjiptin, dekretin Kutro, duke keqpërdorur gjyqtare të ndryshëm. Lërini të vazhdojnë. Italianët më votuan, duke më dhënë detyrën për ta zgjidhur këtë problem, ndaj po gjej mënyra të ndryshme për të arritur objektivin tim për të ndaluar ardhjen e emigrantëve të paligjshëm. Shifrat flasin vetë, në periudhën janar-qershor të këtij viti kemi patur vetëm 21769 refugjatë të ardhur në Itali, ndërsa në të njëjtën periudhë të 2023 kanë ardhur 52257. E gjithë kjo krijon në mendjet e tyre një efekt të jashtëzakonshëm parandalues psikologjik. Ky është basti që unë kam vënë. Basti tjetër është fakti se nëse ky protokoll do të efektiv dhe unë kam bindje të plotë se do të funksionojë, atëherë do të shërbejë si model për vendet e tjera të BE-së. Madje jam e bindur se ky projekt novator i hartuar nga Italia do të jetë në vijim një instrument strukturor për të gjithë BE-në në përballjen me imigracionin të paligjshëm,"-shtoi ajo.
Në fund, iu referua një ligji në nënshkruar që në vitin 2002, i njohur ndryshe si "ligji Bossi-Fini".
“Besoj se duhet të ruhet parimi që frymëzon Bossi-Finin: mund të hysh në Itali nëse ke një kontratë të rregullt pune dhe mund të mbash veten,”-e mbylli ajo.
Më datë 6 nëntor 2023, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministrja italiane Georgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen, për të ndërtuar në Shqipëri dy qendra për të strehuar emigrantët. Sipas marrëveshjes, porti i zbarkimit të emigrantëve do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal që do të mbajë qendra në Shqipëri do të jetë 3000 emigrantë të huaj në muaj./ZËRI