Politikë

“Do i vëmë zjarrin”/ Homeland Justice: Kemi vjedhur të dhënat e parlamentit. Kuvendi e mohon

Sulmi i bërë dje u morë përsipër nga "Homeland Justice", të cilët në kanalin e tyre në rrjetin "Telegram" pretendojnë se kanë marrë të dhëna për të "shkatërruar".

k.m.
“Do i vëmë zjarrin”/ Homeland Justice: Kemi vjedhur
Homeland Justice sulmon faqen e Kuvendit

TIRANË- Grupi i hakerave “Homeland Justice” pretendon se ka marrë të dhëna të rëndësishme nga faqja e parlamentit shqiptar, pavarësisht deklaratave të bëra nga vetë Kuvendi se nuk kishte cënim të faqes së institucionit. Mirëpo në një reagim të dytë, të bërë në grupin e Telegram, hakerat pretendojnë se kanë siguruar të dhëna të rëndësishme nga faqja, të cilat do të publikohen sipas tyre në vijim.

“Ne duam të ndezim zjarr! Parlamenti i Shqipërisë u hakerua, faqja nuk është më e disponueshme. Tani kemi të gjitha të dhënat e parlamentit, ne ju paralajmëruam. Dasia e të dhënave që kemi mbledhur është e madhe. Prisni që të ndodhë më e keqja, pasi kemi akses në të gjitha hardisqet. Ne kemi surpriza për ju, na prisni”, thuhet në mesazhin e Homeland Justice.

Ndërkohë që në një reagim paraditen e sotme, Kuvendi pretendoi se të dhënat në faqen e internetit nuk ishin prekur.

“Gjatë ditës së djeshme është konstatuar një sulm kibernetik ndaj institucionit të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas ekspertëve, nga ky sulm është synuar ndërhyrje në infrastrukturë dhe tentativë për fshirje të të dhënave. Ju bëjmë me dije se nuk janë prekur të dhënat në sistem dhe ekspertët janë angazhuar plotësisht, që prej momentit kur kanë detektuar këtë ndërhyrje nga jashtë institucionit. Ekspertët e IT po punojnë për të zbuluar se çfarë pasojash ka sjellë ky sulm në sistemin e Kuvendit të Shqipërisë. Për sa më sipër, dalja LIVE e shërbimeve kërkon kohë pasi po kontrollohen të gjitha detajet dhe vijon puna për të kthyer në normalitet faqen e Kuvendit të Shqipërisë”, thuhej në deklaratën e Kuvendit.

Por Kuvendi nuk ishte i vetmi institucion që u sulmua nga hakerat. Edhe kompania telefonike "One" dhe kompania ajrore "Air Albania" ishin gjithashtu pre e sulmit. Nga "One" ka pasur një njoftim zyrtar lidhur me atë që ndodhi, ndërsa kompania ajrore ende nuk ka bërë asnjë koment.

Gjithashtu, që prej ditës së djeshme, edhe nga grupi i hakerave nuk ka më asnjë koment dhe asnjë të dhënë se çfarë materialesh kanë mundur që të marrin nga ndërhyrja në sistem./ZËRI

Poll

MOS HUMB