TIRANË- Rikthehet grupi i hakerave iranianë Homeland Justice. Sot ata kanë hakeruar faqen e Kuvendit të Shqipërisë, kompaninë One dhe Air Albanian. Grupi pretendon se do të shkatërrojë deputetët e korruptuar, teksa thotë se do goditen të gjithë ata që bashkëpunojnë me anëtarët e MEK-ut. Por, Homeland Justice është i njohur më herët për sulme kibernetike. Ky grupim ka nxjerrë më herët edhe të dhëna të tjera sensitive, si patentat, targat, pagat, të dhënat për kreun e SHISH, emailet e ish-drejtorit të Policisë Gledis Nano etj.
SULMET E GRUPIT HOMELAND JUSTICE
Më 14 prill 2023, Homeland Justice ka publikuar të dhënat e Autoritetit të Dosjeve. Menjëherë pas këtij, lajmi, AMA përmes një komunikimi publik, kërkoi nga mediat që të mos publikojnë të dhënat, sepse do të dëmtojnë reputacionin dhe marrëdhëniet e besimit të Autoritetit të Dosjeve me homologët.
Më 27 shkurt 2023, Homeland Justice është futur edhe në mailet e kryeministrit Edi Rama. Në dokumentin e publikuar në rrjetin e tyre në aplikacionin "Telegram", shfaqen diskutime me 'foldera (dosje)' me emrat: Baftjar Zeqaj, Eduart Ndreca, Alban Xhelili, Alfred Rushaj, Benet Beci, Bardhyl Çollaku, Erion Braçe, Xhemal Qefalia, Ulsi Manja dhe Fatmir Xhafaj. Përpos dosjeve me dokumenta, grupi i hackerave kanë lëshuar edhe një mesazh: “Jeni avokatët e Djallit! Keni duart e lyera me gjak”. Më herët hakerat publikuan foto edhe të ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim.
Homeland nxori të dhënat e Metës: Nuk mbulohet dielli me shoshë
Homeland Justice ka nxjerrë të dhënat edhe të ish-presidentit Ilir Meta. Bashlkë me të janë hakuar edhe të dhënat e këshilltarëve të Metës: Anna Maria Vasili, Jetmir Hyseni, Andi Hasani, Flamur Gashi, Ylli Asllani, Ilda Zhulali, Anjeza Burnazi, Arben Çiçi, Bledar Dervishaj dhe Albana Veizi. Dhjetëra faqe janë shkëputur nga mailet e tyre, por janë publikuar dhe foto e video. Publikimin e të dhënave, hakerat e kanë shoqëruar me mesazhin: “Nuk mbulohet dielli me shoshë”.
Më datë 6 shkurt 2023, hakerat goditën sërish dhe këtë herë publikuan listën e zgjedhësve. Në dokument përfshihej ID, emri, mbiemri, atësia, qendra e votimit dhe të dhëna të tjera private të votuesve. Ndërsa, edhe këtë herë, Justice Homeland ka pasur një mesazh për zgjedhësit: “A jeni penduar që keni votuar politikanë të korruptuar?”.
Më datë 23 dhjetor 2022, Homeland Justice ka publikuar të dhënat për klientët VIP në Bankën Credins. Edhe këtë herë, grupi ka pasur një mesazh të fortë, duke u shprehur se mesa duket, qeveria shqiptare përpos harxhimeve që ka me muxhahedinët, shpenzon taksa të tjera më kot. "Me sa duket, përveç muxhahedinëve, ju po shpenzoni taksat për veten tuaj. E drejtë? Duke pasur parasysh këtë sasi informacioni, a nuk janë ende të bindur njerëzit që korrupsioni ka përfshirë të gjithë qeverinë dhe zyrtarët? Është koha të lëmë pas korrupsionin dhe të ngrihemi për lirinë e vendit tonë,"-shkruhet në postimin e bërë në Telegram nga grupi i hakerave. Pas sulmit reagoi edhe Banka Credins, që tha se ishte një sulm kibernetik periferik dhe se të dhënat e klientëve të saj janë të sigurta.
Më 9 dhjetor 2022, Homeland Justice publikoi një foto të Ramës dhe të ambasadores amerikane Yuri Kim, teksa në kokat e tyre kishin një kryq të kuq. Teksa të dy janë në shënjestër, hakerat e “Homeland Justice” i kanë vendosur një kryq të madh ambasadores Yuri Kim, teksa shkruajnë: 'Një iku, tani merremi me të tjerët'. Pasi mediat thanë se mesazhi ishte kërcënim për Kim, Homeland Justice deklaruan se nuk e kanë kërcënuar atë me vdekje, por grupin MEK-un.
Më 12 dhjetor 2022, Homeland Justice ka publikuar certifikatat e sigurisë së punonjësve të Ministrisë së Brendshme. Edhe këtë herë, hakerat kanë pasur një mesazh të fuqishëm: “Bari është gjithmonë më i gjelbër në anën e terroristëve! O ju që kërkoni nga historia dhe historia kriminale e çdo shqiptari! Keni bërë të njëjtën gjë edhe për ata terroristë komunistë?". Dokumentet mendohet se janë prodhuar nga SHISH.
Më 28 nëntor 2022, hakerat kanë nxjerrë të dhënat e patentave. Krahas nxjerrjes së patentave, Homeland Justice kishte edhe një mesazh për qeverinë. “Nuk jeni të gatshëm të dhuroni siguri për njerëzit tuaj”, thuhej në mesazh.
Më datë 13 nëntor 2022, Homeland Justice ka publikuar të dhënat e ish-kreut të SHSIH, Helindon Bendo. Grupi pretendoi se është futur në e-mailin e Bendos.
Hakerat kanë nxjerrë të dhënat e zv drejtorit të SHISH, Oljan Kanushi. Homeland Justice ka publikuar të dhënat e pasaportave të Kanushit. Ata janë ndalur dhe në gjendjen e tij civile, duke nxjerrë edhe emrat e të dhënat e familjarëve.
Grupi i hakerave iranianë kanë nxjerrë të dhëna të tjera më 7 nëntor 2022 që kanë marrë nga institucionet shqiptare, më konkretisht operacionin për zbulimin e një spiuni që punonte në ambasadën kineze. Po ashtu, kanë nxjerrë dhe një video të xhiruar me kamera trupi, të dikujt që iu afrohet dy personave, një prej tyre, ish-kryepolici Gledis Nano. Survejimi është pranë ambasadës kineze në Tiranë.
Në datën 30 tetor 2022, Homeland Justice ka publikuar dokumentet e makinave që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë. Kësaj herë kanë nxjerrë dokumentet për të gjitha mjetet që qarkullojnë në Shqipëri, e detaje specifike si psh: Targa, pronari, modeli, kapaciteti, adresa, lloji i mjetit, modeli, viti dhe ngjyra. Pra gjithçka!
Më datë 27 tetor 2022, Homeland Justice ka nxjerrë të dhëna sensitive për kryeministrin e vendit Edi Rama. Ndërsa është publikuar edhe një mesazh, ku thuhet se a i ka informuar Rama shqiptarët se paguajnë taksa për të strehuar anëtarët e MEK.
Po ashtu, janë marrë të gjitha të dhënat nga sistemi TIMS, ku janë shënuar hyrjet dhe daljet e kryeministrit. Gjithsej, numërohet jo pak, por 137 fluturime me charter. Dalja e parë e Ramës që është shënuar 1 gusht 2005, kur Rama është larguar për në Vienë, por si një qytetar i "ZAKONSHËM". Ndryshe nga tani që duket se lëviz vetëm me avion, më herët qarkullonte dhe me makinën e tij, që tashmë e përdor mesa duket vetëm për lëvizje brenda Shqipërisë.
Më datë 19 shtator 2022, Homeland Justice kanë publikuar të dhëna tepër konfidenciale për ish-kryepolicin Gledis Nano. Hakerat kanë publikuar të dhënat personale të Nanos përfshirë edhe numrat personalë të tij dhe të trungut familjar, listën e udhëtimeve dhe pagesat në sigurimet shoqërore. Nga vëzhgimi rezulton se lëvizjet e Nanos jashtë vendit kanë qenë të kufizuara me vetëm 2 udhëtime jashtë vendit gjatë kohës që ka drejtuar Policinë e Shtetit. Më 22 nëntor 2021, Nano ka qenë në Stamboll ndërsa më 13 mars të 2022, ish-drejtori i Policisë ka qenë në Dubai me një udhëtim pa shofer dhe të pa raportuar zyrtarisht në media.
Në postimin e tyre, "Homeland Justice" pretendojnë se disponojnë edhe listën e emaileve të Nanos në lidhje me një sulm të pretenduar terrorist në Durrës.
Më datë 29 gusht 2022, hakerat kanë publikuar numrat e celularëve të qytetarëve shqiptarë.
Më 10 gusht 2022, Homeland Justice ka publikuar e-mailet që Ministria e Jashtme i ka dërguar ambasadave shqiptare në Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje Hercegovinën. Në këto dokumente gjithashtu janë edhe e-mailet që emigrantët shqiptarë u kanë nisur ambasadave shqiptare në shtete të huaja. Shumë prej tyre kërkojnë pajisjen me karta identiteti apo dokumentacione të ndryshme, si njohja e diplomës apo pajisja me vizë.
Grupi “Homeland Justice” ka publikuar pak muaj më parë një sërë dokumentash. Mes tyre, kanë qenë lista të zgjedhësve, certifikatat e sigurisë të punonjësve të Ministrisë. Të dhëna të tjera që janë publikuar prej tyre janë patentat, targat, pagat si dhe listën e punonjësve të SHISH. Ata kanë publikuar dhe të dhënat personale të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, ish-kreut të SHISH, Helidon Bendo, nënkryetarit Oljan Kanushi, ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano si dhe e-mailet e këtij të fundit./ZËRI/