
TIRANË- Deputetët e Partisë Demokratike, Elda Hoti dhe Albana Vokshi e kanë kundërshtuar vendimin e Sekretariatit të Etikës, që i përjashton me 10 ditë nga punimet në Kuvend. Përmes një shkrese drejtuar Byrosë së Kuvendit, të dy deputetët kanë kërkuar anulimin e vendimit të marrë, duke e cilësuar si të paligjshëm. Megjithatë ankesa e tyre nuk u shqyrtua, pasi mbledhja e Byrosë së Kuvendit të Shqipërisë dështoi.
Teksa kryetarja Ermonela Felaj lexoi kërkesën dhe doli në përfundimin se nuk mund të shqyrtohet pasi nuk ka kuorum, në sallë nisën akuzat nga demokratët. Menjëherë Flamur Noka dhe vetë Vokshi u përfshinë në debat me Felajn, e cila nxitoi të mbyllte mbledhjen për 5 minuta. Për shkak të mungesës së kuorumit, kërkesa e Vokshit dhe Hotit, do të shqyrtohet në një moment të dytë.
PËRPLASJA NË SALLË:
Felaj: Media ju lutem, kur futeni në sallë është problemi juaj. Ju lutem mos e humbisni durimin se interesi është që të dëgjohemi ne, jo mos të dëgjohemi. Tani do verifikoj kuorumin. Zonja Nikolla nuk është, zoti Klosi prezent, zoti Gjekmarkaj ku është? Më rezulton se është kthyer, zoti Mziu, zonja Bushka nuk është, zoti Çuçi nuk është prezent.
Noka: Të vjedhësh dhe vetëm të vjedhësh
Vokshi: Ku i ke fshehur deputetët, silli ku i ke. Silli anëtarët ku i ke?
Felaj: Ndjesë kolegë, por për mungesë të kuorumit kjo mbledhje është e pamundur që të mbahet. Nuk e deklaroj të hapur për shkak të mungesës së kuorumit.
Vokshi: Keni turp apo nuk keni?
Felaj: Iu respektuam aq sa ishte e mundur, kaq mund të bënim për ju.
Megjithatë, pas mbledhjes, deputetja Albana Vokshi tha se vendimi i Këshillit të Etikës ka rënë dhe se ajo bashkë me deputeten Elda Hoti do jenë nesër në sallë./ZËRI