
TIRANË- Protesta e opozitës e thirrur pasditen e djeshme përpara Kryeministrisë, duket se ka kënaqur me pjesëmarrje vetë organizatorët, aq sa zëdhënësja Floriana Garo do të fliste për 120 mijë qytetarë në shesh. Por përtej shifrave të fryra nga vetë Rithemelimi, ajo që ishte evidente është se në protestë kishte më shumë qytetarë se në Korrikun e vitit 2021, dhe se bashkimi i pjesës më të madhe të deputetëve të PD-së ka sjellë frytet e para dhe në terren. Në protestën kombëtare, e cila u zhvillua për herë të parë pa praninë fizike të Sali Berishës, Monika Kryemadhit dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta; organizimi i ishte besuar Gazment Bardhit dhe Flamur Nokës, të cilët vetëm pak muaj më parë do të përfshiheshin në akuza të forta mes tyre, që nuk i janë lënë pa përmendur dhe në daljet e tyre televizive.
Vizita në SHBA që ndryshoi trajektoren e Bardhit
Gazment Bardhi ka qenë padyshim protestuesi me trajektoren më të madhe të ndryshimit të qëndrimeve në këto muajt e fundit. Edhe pse bashkimi me grupin e Berishës në Kuvend, ka ndodhur prej muajsh, pika ku ai ndahej me Rithemelimin ishin protestat kundër SPAK, apo protestat poshtë ballkonit të Berishës. Brenda pak ditësh, të dyja këto tabu u thyen, dhe Gazment Bardhi jo vetëm që mori pjesë në protestën e thirrur para kryeministrisë, por padyshim ishte dhe një prej personave që mbajtën fjalime para turmës. E gjithë kjo kthesë e Bardhit, pikërisht pas vizitës së tij në senatin amerikan, nuk ka kaluar pa kritika dhe nga Zëri i Amerikës. Në një shkrim të publikuar pas protestës, media që raporton nga SHBA, shprehej për Bardhin se ai ka gëlltitur akuzat që ka bërë për Berishën dhe Nokën. Më herët e njëjta media, ka komentuar ‘nënshtrimin’ e tij ndaj grupit të Rithemelimit, ndërsa vetë Bardhi lëvizjen e tij e ka konsideruar përbashkëshkuese, me pretendimin se ai vendosi që të qëndronte në anën e shumicës.
Edhe Tabaku në protestën e opozitës
Edhe deputetja Jorida Tabakut, duket se po i fryn era e shumicës. Ajo ka qenë pjesë e protestës së opozitës gjatë ditës së djeshme, edhe pse jo në ballë të saj, teksa ka refuzuar që të jetë pjesë e mbledhjeve të përbashkëta të grupit parlamentar që drejtohen nga Gazment Bardhi. Ky i fundit tha se deputetes do t’i jepej koha që të ftillonte vendimet e saj, ndërsa tha se ajo e ka konfirmuar qëndrimin e saj në opozitë. I njëjti parim nuk vlen për Lulzim Bashës, që sipas Bardhit, me qëndrimet e tij të muajve të fundit, i ka shërbyer vetëm qeverisë së Edi Ramës.
Shkëlzen Berisha dhe Argita Malltezi të heshtur në protestë
Nëse babai i tyre nuk kalonte dot pragun e derës, për shkak të masës së arrestit, Shkëlzen Berisha dhe Argita Malltezi kanë qenë pjesë e protestës, edhe pse jo me fjalime politike. Kamerat e mediave të pranishme fiksuan Shkëlzen Berishën duke u përplasur me një agjent civil të policisë, ndërsa Argita Malltezi në një intervistë për Euronews, iu kërkoi protestuesve që të mos largoheshin nga sheshi. Kërkesë e cila duket se ra në vesh të shurdhët, pasi pas pak më shumë se 2 orësh, protestuesit u larguan nga sheshi, duke lënë pas pak tymë dhe flakë nga disa shishe me molotov që u hodhën në drejtim të kryeministrisë.
Mesazhet e protestës
Edhe në protestën e ditës së djeshme nuk munguan mesazhet “Rama ik”, apo ‘Shqipërisë i dalim zot’ ndërsa disa prej banderolave më të komentuara ishin padyshim ajo për Bashkinë e Himarës, ku kërkohej lirimi i Fredi Belerit, si dhe pankartat për dëshmitë nga arratia të Arben Ahmetajt. Shumica e folësve në këtë protestë, ishin për mosbindje civile, por edhe në mbyllje të saj nuk u dha një rrugë e qartë se si kjo do të ndodhë, dhe nëse është gati opozita për t’u përballur me socialistët në zgjedhjet e ardhshme.
Rama e ndoqi protestën nga Turqia, i vetmi që thyen heshtjen është Erion Braçe
Gjatë kohës kur militantët e Partisë Demokratike protestonin duke kërkuar largimin e tij, kryeministri Edi Rama dhe një pjesë e ministrave të qeverisë ndodheshin në një vizitë zyrtare në Turqi, ku u pritën nga presidenti Erdogan. Siç ndodh zakonisht, me një rregull të parashkruar nga socialistët, komentet për lëvizjet e opozitës janë të ndaluara. I vetmi që e ka thyer dhe dje këtë rregull ka qenë deputeti Erion Braçe, i cili ka ironizuar me pankartat për Belerin dhe Ahmetajn në protestë.
“Kaq mjafton! Nuk ka nevojë për më shumë! Këta janë! Në mbrojtje të tre vrasësve:
Vrasësit të 21 Janarit – i pari; Vrasësit (nga e njëjta shtëpi) të Gërdecit – i dyti; Vrasësit të ushtarakëve shqiptarë – i treti”, shkruante Braçe në postimin e tij.
A mjafton bashkimi?
Por përtej entuziazmit dhe një sinjali të mirë për demokracinë që mund të quhet protesta e djeshme e opozitës, pikëpyetjet qëndrojnë ende për kushtet në të cilat ndodhet Partia Demokratike, një vit –para zgjedhjeve parlamentare. A do të jetë Berisha kandidat i opozitës për kryeministër, edhe nëse ndaj tij do të vijojë masa e sigurisë së dhënë nga GJKKO? Si do të shkojë fati i vulës së Partisë, në një kohë që tashmë kryetari që njihet zyrtarisht është Lulzim Basha? A do të prodhojë rezultat Federata e Opozitës, që ka dalë dhe me një marrëveshje të përbashkët? A ka një emër alternativ sot opozita përtej Bashës dhe Berishës për të qenë lideri i opozitës? Të gjitha këto pikëpyetje do të qëndrojnë në kokën e shqiptarëve, ndoshta aq gjatë sa iu desh edhe opozitës për të thirrur një protestë kombëtare. Dje nuk u la asnjë datë për protestën e radhës!/ZËRI