
TIRANË- Grupi negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian tani do të ketë pjesë të ekipit edhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn. Nga grupi është larguar Romina Kuko, ndaj dhe vendin e saj e ka zënë Beqaj.
Lajmin e ka bërë me dije Qeveria me anë të një njoftimi zyrtar pas një propozimi të bërë nga ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatore për bisedimet mes BE-së dhe Shqipërisë, e cila koordinon edhe gjithë ekipin negociues.
Njoftimi:
Mbështetur në ligjin për shërbimin e jashtëm, për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, me propozimin e ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, Këshilli i Ministrave vendosi që në bazë të vendimit për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Romina Kuko, zëvendësministre e Brendshme do të zëvendësohet me Ilir Beqaj, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.
Po ashtu edhe Ilir Bejtja, ish-zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, negociator përgjegjës për kapitullin për energjinë largohet nga kjo detyrë dhe në vend të tij emërohet Enkelejda Muçaj, zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë./Zëri.ai