
TIRANË- Kryeministri Edi Rama duket se ka përcjellë një mesazh për ish-zv.kryeministrin e vendit, Arben Ahmetajn gjatë fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste. Teksa filste për goditjet e drejtësisë së re, Rama kërkoi që të gjithë ata që u është besuar një post, ta përdorin në shërbim të qytetarëve, në të kundërt të mbrojnë veten. Ndër të tjera në fjalën e tij, Rama shtoi se i qëndroi mendimit të tij të parë se PS nuk bëhet mburojë për askënd, por theksoi se ata që i kap "rrjeta" e SPAK duhet të heqin dorë edhe nga krijimi i teorive për konspiracion brenda partisë.
"Karrigia është e pushtetit. Qëndrimi im nuk ndryshon për të gjithë ata që harrojnë për çfarë e kanë karrigen e dhënë nga kjo familje politike dhe pastaj kur i kap rrjeta e drejtësisë kërkojnë ndihmë nga partia. Apo krijojnë konspiracioni imagjinare brenda partisë. PS qëllon të ta japë privilegjin që të ulesh për t'i shërbyer qëllimeve por për ta mbajtur karrigen është detyra dhe nderi yt. Por paralelisht me këtë ama dhe sa individë të korruptuar do të ndëshkohen nga drejtësia e re, korrupsioni do të mbetet problem jo i vogël, e cilësia nuk do të arrijë në nivelin e masës së transformimit. Nëse do të jetonim në një kohë tjetër, kjo punë do të zgjaste deri në 50 vjet,"-tha Edi Rama.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Karrigia e pushtetit është një kafshë e egër, që po e le të të hyjë në trup, të mbush xhepin, por të merr mendjen. Prandaj kush e harron që ajo karrige është e popullit dhe e shtetit, jo e veta dhe e tarafit të vetë, meriton çdo ndëshkim që parashikon ligji për këtë lloj harrese të neveritshme. Në këtë pikë unë nuk do zgjatem se e dini qëndrimin që nuk ndryshon për të gjithë ata, që harrojnë se për çfarë e kanë karrigen e dhënë nga kjo familje politike, dhe pastaj kur i kap rrjeta e drejtësisë presin mbrojtje nga partia apo bëjnë viktimën e konspiracioneve imagjinare të partisë.
Partia Socialiste qëllon të ta japë privilegjin që të ulesh në karrige për t’iu shërbyer qëllimeve të saj të shpallura publikisht dhe të votuara masivisht nga shqiptarët. Ndërsa për ta mbajtur atë karrige me dinjitet dhe me sukses, është detyra, është përgjegjësia dhe është nderi yt, por paralelisht me këtë dhe pavarësisht se sa individë të korruptuar do të ndëshkohen nga drejtësia e re sot, nesër, pasnesër, korrupsioni do të vazhdojë të mbetet një problem jo i vogël në Shqipëri, për sa kohë modernizimi i sistemeve të funksionimit të shtetit, si edhe cilësia e proceseve vendimmarrëse nuk do të arrijë në nivelin e masës kritike të transformimit. Nëse do të jetonim në një kohë tjetër, kjo punë mund të na merrte 50 vjet, po koha që jetojmë, na ka dhënë një mundësi që asnjë gjeneratë njerëzore nuk e ka imagjinuar. Bekimin e teknologjisë digjitale dhe tanimë dhe të inteligjencës artificiale. Se dhe ju vetë këtu, që jeni në një farë mënyre qytetarë në vijën e parë të ndryshimeve 10 vitet e fundit, i keni harruar pamjet e tmerrshme të radhëve të pafundme, ecejaket në dyert e shtetit, pirgjet me letra që duheshin mbledhur derë më derë, shko aty merr një letër, ik aty merr një letër, të duhet një nga zjarrfikësi, shko merr atje te e Mjedisit, dil atje tek Urgjenca për të marrë një shërbim. Dhe çfarë shërbimi? Për të marrë një copë letër në një sportel të caktuar. Keni harruar bakshishet deri dhe për një certifikatë lindje se një herë nuk kishte drita për printerin, pastaj zonja që duhet të ishte aty kishte vizitë te gjinekologu, pastaj zotëria që të dilte përpara ishte me dhimbje koke, derisa i jepje atë 100 lekësh që të arratiseshe sa më parë nga radha.
Por përse pikërisht Arben Ahmetaj?
Nga të gjithë të dënuarit, apo të akuzuarit nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Ahmetaj është më i zëshmi dhe disa herë ka folur për një "kokë të zezë" që e sulmon.
"Koka e vërtetë e zezë” ia ka dalë…përkohësisht. Vrulli politik i SPAK s’besoj t’i ketë shpëtuar syrit të publikut. Përndjekja ekzemplare e stilit të vjetër, ngarkuar me urrejtje personale të përfolur dhe nëpër tryeza politiko-drejtësie, përtej fakteve, i ka kaluar dhe imagjinatat e filmave horror. Goditja politiko-juridike ndaj meje duket sikur është kthyer në një sport juridiko-statistikor pa cilësi. Detajet për këtë dosje e të tjerat, në një kohë të shpejtë. Ndoshta “të vërtetit” i duhet një zhurmë tjetër!,"-është shprehur më herët Ahmetaj.
Megjithatë kurrë, "kokën e zezë", nuk e ka asociuar me kreun e qeverisë./ZËRI