
TIRANË- Kryeministri Edi Rama tha në Kongresin e PS se reforma e suksesshme në drejtësi është bërë vetëm falë Partisë Socialiste, duke shtuar se dikur aleatët e tyre, pra asokohe Lëvizja Socialiste për Integrim, i kishin penguar. Në fjalën e tij gjatë Kongresit të Partisë Socialiste, Rama tha se nëse PS nuk ishte në pushtet as amerikanët dhe as europianët nuk do të bënin dot këtë reformë, duke shtjelluar se përse nuk mund të ndodhte. Megjithatë përballë faktit se në Shqipëri ka një drejtësi të re, Rama theksoi se tashmë vendi ynë është kthyer në një shembull për rajonin. Më konkresisht për Serbinë dhe për Bosnje-Herzegovinën.
"Ne me qetësinë e vetëdijes dhe me durim heroik dhe pa stres duhet të bëjmë detyrat tona me përkushtim sepse Shqipëria e gatshme si shtet i BE-së para sa t'i duhet Francës, Holandës, na duhet ne. I duhet fëmijëve tanë në atdheun tonë duhet të sigurojmë progresin pa kthim për një shtëpi të përbashkët për një shtëpi dhe mirëqeverisje europiane. Këtu vijmë tek garancia e dytë. Reformë në drejtësi pa partinë tonë nuk ka anglo-amerikanë që e bënte dot. Këtu ishin që kur Shqipëria u lirua nga kthetrat e diktaturës kur ne e kaluam në parlament paketën e ndryshimit historik. Nga ana tjetër, nëse reforma në drejtësi do të ishte një produkt që eksportohet, do ta kishin bërë. Janë edhe 2 vende të tjera të NATO-s në Ballkan. është edhe një vend tjetër që është pro-amerikan, që është Kosova. Por pse nuk e kanë importuar meqë e kanë kaq të lehtë dhe e sjellin me aeroplan reformën. Atyre vendeve, Serbisë dhe Bosnjes u tregojnë Shqipërinë dhe u thonë merrni shembull sesi duhet të bëni reformën në drejtësi. Prandaj, ata që thonë të kundërtën e bëjnë nga pozitat e kundërshtarit, apo nga ai pozicioni i shqipos që mazalla që ia njeh një shqipoje tjetër një punë të mirë. Nuk e solli koha këtë transformim por PS. PS e solli populli. Jo vetëm që na e dha në 2013, por edhe në 2017 kur i kërkuam që të qeverisnim pa të tjerë në prehër, se e reformën na e morrën peng thuajse 3 vjet në Parlament, na e dha votën. Na i hoqi nga prehëri pasagjërat me dy patenta. Jemi në gjendje që të bëjmë të gjitha gjërat që ëndërrojmë. Jemi në gjendje t'i bëjmë Shqipërisë aleatë e partnerë që nuk i ka pasur kurrë. Thoni sa interesante, e bëjmë edhe ne një gjë nëse i hyjmë. Këtë meritë historia nuk ka kujt tjetër emri ia njeh përveç PS. Thënë të gjitha këto, problemi i madh sot para nesh është çfarë duhet të bëjmë ne më shumë dhe shumë më mirë që të afrojmë ditën kur drejtësia në Shqipëri të jetë e drejtë, e pavarur dhe e ndershme. Me të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë shqiptarët të një sërë individësh me një profil të lartë me nivelin qëndror është vetëm zgjimi i një shpirti drejtësie të vjetur prej më shumë se 100 vitesh në koma në nëntokën e një shteti shqiptar. Zgjimi ka vetëm një arsye kalimin e fuqisë sonë si forca më e madhe politike e vendit që zotëron pushtetin ekzekutiv tek një strukturë e re që lindi nga reforma në drejtësi,"-u shpreh ndër të tjera Rama.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Bashkimi Europian sot jeton me kontradikta të brendshme që lidhen me filozofinë e zgjerimit të Europës të bashkuar, si dhe me presione të vazhdueshme nacionaliste kundër zgjerimit të BE-së në shtete të caktuara, të cilat ndikojnë direkt në logjikën e zgjedhjeve në ato shtete dhe shembulli konkret që ne kemi është se Shqipëria ishte gati për të hapur negociatat qysh disa vite më parë dhe Komisioni Europian, i cili bën vlerësimin objektiv, teknik, shikon faktet, nuk shikon sondazhet në një shtet apo në një shtet tjetër, ia kërkoi Këshillit qartësisht, jo njëherë, që Shqipëria është gati të hapë negociatat. Por Këshilli nuk e arriti konsensusin sepse në një moment, Gjermania, Franca dhe Holanda, pastaj Franca dhe Holanda kishin arsyet e tyre politike për të mos u bashkuar shteteve të tjera që e dhanë menjëherë dakordësinë e tyre.
E kam thënë atëherë dhe e përsëris dhe sot “Nuk mendoj se Suedia, Finlanda, vendet me nivelin më të ulët të korrupsionit në botë, janë më pak parimorë kur vjen fjala për të gjykuar korrupsionin apo për të vlerësuar rrezikshmërinë nga korrupsioni të një vendi të cilit duhet t’i japin votën sesa Franca, Gjermania dhe Holanda.
Franca ka prej kohësh një filozofi tjetër të zgjerimit të BE-së dhe kërkon një reformim të brendshëm konceptual të gjithë organizmit dhe funksionimit të BE, ndërsa Holanda, që është një vend ku skepticizmi tradicional ndaj zgjerimit është rritur shumë, sidomos në 10 vitet e fundit, ka qenë vazhdimisht nën presionin e rritjes së forcave nacionaliste anti BE, jo vetëm anti zgjerim, por anti BE fare, dhe Shqipëria u bë, në një farë mënyre, pengu i asaj dinamike.
Sa mbaruan zgjedhjet në Holandë, Holanda e zbuti pozicionin dhe Kryeministri erdhi për herë të parë në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Holandën në Tiranë dhe konfirmoi mbështetjen e Holandës për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Tani ka dalë Greqia, me arsyen e mos arsyes sesa për rastin që dimë, i cili nuk ka asnjë lidhje as me Bashkimin Europian, as me kushtet e procesit të negociatave, as me ndonjë mangësi të Shqipërisë në këtë fazë të negociatave ku Shqipëria ka shkëlqyer, në kuptimin e plotë të fjalës ka shkëlqyer, në procesin e përbashkët të skanimit të pozitës së saj aktuale, por nesër mund të dalë dikush tjetër dhe kështu me radhë.
Po pse, për këta do ta prishim gjakun ne? Se ne duhet të jemi qetësisht të vetëdijshëm dhe nuk duhet ta humbasim kurrë busullën që Bashkimi Europian, Europa, vendi ku dielli lind andej nga perëndon është amaneti ynë dhe është borxhi historik që të gjithë udhëheqësit dhe forcat udhëheqësit i kanë pasur gjeneratës tjetër dhe këtë borxh kjo forcë qeverisëse do ta shlyejë.
Ne me qetësinë e vetëdijes dhe durim heroik, pa stres duhet të bëjmë detyrat tona me përkushtim, me përpikmëri, me vendosmëri sepse Shqipëria e gatshme si shtet anëtar i BE-së, pavarësisht se a i hapet rruga sot, a i hapet rruga nesër kur është e gatshme për arsyet që thashë, përpara sesa t’i duhet Francës, përpara sesa t’i duhet Holandës, përpara sesa t’i duhet Gjermanisë, përpara sesa t’i duhet Greqisë na duhet ne, i duhet fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë këtu, në atdheun tonë ku ne duhet të sigurojmë për njerëzit e këtij vendi, progresin pa kthim për një shtëpi të përbashkët për drejtësi europiane dhe mirëqeverisje europiane.
Këtu vijmë tek garancia e dytë, për pakthyeshmërinë e progresit të madh që kemi nisur, i cili kërkon medoemos që të gjithë idetë, planet, projektet dhe punët në çdo sektor të mbështeten në mënyrë të pashkëputur mbi themelet e një drejtësie të drejtë, funksionale dhe të barabartë për të gjithë, si edhe tek një korpus institucionesh funksionale demokratike me vendimmarrje cilësore, me aftësi për zbatueshmëri të sigurt ligjore dhe profesionale të detyrave të proceseve të punës së shtetit, duke garantuar lirinë dhe barazinë e konkurrencës si edhe meritokracinë.
Reforma që ne, askush tjetër, ndërmorëm në drejtësi, është reforma më e thellë, është reforma më e vështirë, është reforma më e ngatërruar në historinë e shtetit shqiptar, për ndërtimin e shtetit modern, europian të shqiptarëve.
Asnjëherë, askush, që nga shpallja e Shqipërisë shtet në vitin 1912 nuk e ndërmori një reformë të tillë, e cila është një reformë që përcakton në fakt dhe vijën më të thellë ndarëse mes demokracisë funksionale dhe çdo forme tjetër organizmi apo funksionimi të një shteti.
Sot ka shumë përpjekje për t’i treguar frytet e para të kësaj reformë si një produkt i imponuar, importi nga SHBA dhe BE, madje për t’i treguar si provë të kapjes me pahir nga hallatet të të gjitha forcave politike vendimmarrëse të këtij vendi nga aleatët tanë strategjik. Asgjë më të pavërtetë se sa kjo nuk ka dhe le të hidhen përpjetë kush të dojë, sa të dojë, por reformë në drejtësi pa Partinë Socialiste dhe fitoren tonë të vitit 2013, nuk ka anglo-amerikanë apo euro-perëndimor që bënte dot në Shqipëri.
Ambasada Amerikane dhe delegacioni europian nuk erdhën në Shqipëri në vitin 2013. Këtu ishin që kur Shqipëria u çlirua nga kthetrat e diktaturës dhe nevojën për një drejtësi demokratike në Shqipëri as europianët e as anglo-amerikanët nuk e zbuluan në vitin 2016, kur ne kaluam në Parlament paketën e ndryshimit historik të kursit kushtetues të drejtësisë në këtë vend.
Nga ana tjetër, nëse reforma në drejtësi do të ishte një produkt eksporti i detyrueshëm për vendet që do të duan të anëtarësohen në Bashkimin Europian, atëherë BE dhe SHBA do ta kishin eksportuar dhe në vendet e tjera të rajonit. Janë të paktën dhe dy vende të tjera të NATO-s në Ballkan, plus dhe një vend tjetër që nuk është i NATO-s, por është totalisht pro amerikan dhe pro perëndimor që është Kosova. Pse nuk e kanë importuar meqë e kanë kaq të lehtë që e sjellin me aeroplan reformën?
Ndërkohë që atyre vendeve, përfshirë edhe Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës ju tregojnë Shqipërinë. U thonë, merrni shembull se si duhet ta bëni reformën në drejtësi. U thonë, merrni shembull se si bëhet pastrimi i sistemit të drejtësie nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. U thonë, merrni shembull se si bëhet një organizim tërësor i drejtësisë. Prandaj ata që thonë të kundërtën, e bëjnë nga pozitat e kundërshtarit të Partisë Socialiste apo e bëjnë nga ai pozicioni i shqipos që meazallah se ia njeh shqipove të tjerë meritën për një punë të mirë. E keni vënë re? Çdo punë të mirë që bëjmë ne, “e solli koha”. Çdo gjë që nuk shkon, “nuk shkon se e kemi bërë ne”. Jam dakord me të dytën, por me të parën nuk jam dakord.
Nuk e solli koha këtë transformim, por e solli Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Partinë Socialiste të Shoqërisë nuk e solli Amerika e as Europa, por e solli populli shqiptar në vitin 2013 dhe duke qenë se populli shqiptar është populli që nëse do kishte një kampionat botëror për politikë do fitonte kupën e botës dhe ka një instinkt të pagabueshëm, jo vetëm na e dha votën në 2013, por kur ia kërkuam përsëri në 2017 dhe i thamë, “na e jep të qeverisim pa të tjerë në prehër, se ndryshe nuk e çojmë përpara këtë proces”. Se i kaluam ndryshimet kushtetuese në 2016 dhe paketën që duhej të të gjithë korpusit bazë ligjor na e morën peng thuajse 3 vjet në Parlament. Na e dha votën, na i hoqi nga prehri pasagjerët me dy patenta. Prandaj ky aspekt i autorësisë së reformës në drejtësitë ka pak rëndësi për historinë e shtet ndërtimit demokratik. Unë e nënvizoj më shumë për tu thënë shqiptarëve, ne jemi në gjendje ti bëjmë të gjitha gjërat që i ëndërrojmë me sy hapur dhe nuk kemi pse presim të na i bëjnë të tjerët dhe ja, e bëmë dhe këtë.
Patjetër që nuk e bëmë vetëm dhe patjetër që asgjë nuk bëhet vetëm në këtë botë, por ne jemi në gjendje që t’i bëjmë Shqipërisë aleatë, miq e partnerë në atë nivel që Shqipëria nuk i ka pasur kurrë prandaj përpara se sa të thoni sa mirë na e bëri Amerika, sa mirë na e bëri Europa, thoni: ore sa interesant, e bëkemi dhe ne një gjë nëse i hymë. Për sa i përket historisë, këtë meritë historia nuk ka kujt emri tjetër ia njeh përveç Partisë Socialiste.
Mirëpo, thënë të gjitha këto, problemi i madh sot sa një mal përpara nesh është çfarë duhet të bëjmë ne më shumë dhe shumë më mirë që ta afrojmë sa më shumë ditën kur drejtësia në Shqipëri të jetë e tëra drejtësi e drejtë, drejtësi e pavarur, drejtësi e aftë dhe e ndershme me të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë shqiptarët.
Gjithçka po ndodh sot me hetimin, vendosjen nën akuzë apo ndëshkimin penal të një sërë individësh me profil të lartë në nivelin qendror të politikë, është vetëm zgjimi i një shpirti drejtësie të fjetur prej më shumë se 100 vitesh në koma në nëntokën e shtetit shqiptar, por nuk është drejtësia europiane që duam për Shqipërinë e fëmijëve tanë. Ky zgjim ka vetëm një arsye: Kalimin e fuqisë sonë si forca më e madhe politike e vendit, që zotëron pushtetin ekzekutiv dhe udhëheq rrugën e ndërtimit të shtetit të së drejtës tek një strukturë e re që lindi nga reforma në drejtësi dhe që përbëhet nga një organ special akuze, SPAK-u dhe një organ special gjykimi, GJKKO-ja. Vetëm kjo është arsyeja, por është shumë pak. Është jashtëzakonisht shumë në aspektin e moralit politik, është jashtëzakonisht shumë në aspektin e vullnetit politik sepse që një pushtet ekzekutiv shqiptar të transferojë të gjithë fuqinë e vet në raport me gjithçka ka të bëjë me drejtësinë, tek një strukturë e re, e pavarur prej tij, kjo është historike, por s’është drejtësia europiane kjo. Ky është voluntarizmi i i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe nëse ne mendojmë për një momentet të vetëm që ne e bëmë tonën, ky progres nuk ka asnjë garanci. U deshën disa vite që kjo strukturë t’i zgjaste duart e pavarura drejt pushtetit të politikës dhe të fillonte vënien para ligjit të individëve që as mund të imagjinohej se mund te prekeshin ndonjëherë nga drejtësia, që nga viti 1912 dhe patjetër që kjo është një domosdoshmëri absolute për të shkuar përpara në rrugën e ndërtimit të drejtësisë europiane dhe të forcimit të mirëqeverisjes./ZËRI