Politikë

Rama flet nga Kongresi: Ia vë gishtin kokës çdo ditë! Nëse ndalojmë, ndalon progresi në BE

Ndërkohë kishte një mesazh dhe për të gjithë socialistët, ku u kërkoi që ti vënë 'gishtin kokës" dhe të ushtrojnë me përgjegjësi detyrën e ngarkuar, duke filluar nga ai vetë. 

k.m.
Rama flet nga Kongresi: Ia vë gishtin kokës çdo ditë!
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur këtë të premte në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste ku u ndal tek arritjet e Qeverisë dhe sfidat e Qeverisjes. Kryesocialisti u ndal tek termeti i 26 nëntorit të 2019-tes dhe pandemia e Covid-19 si dy sfida të kaluara me sukses, ndërsa foli dhe për integrimin europian, të cilin e sheh si të lidhur me Partinë Socialiste. Ndërkohë kishte një mesazh dhe për të gjithë socialistët, ku u kërkoi që ti vënë 'gishtin kokës" dhe të ushtrojnë me përgjegjësi detyrën e ngarkuar, duke filluar nga ai vetë. 

Edi Rama: Jemi të gjithë këtu për të mbyllur këtë ditë, pasi PS nuk njeh lodhje. Ne duam që të ngremë Shqipërinë më 2030 në majën e lartë. Morëm një qeveri që kishte korrupsion e krim të organizuar në çdo qelizë, deri në një kohë kur askush nuk e merrte seriozisht emrin “Shqipëri” dhe Shqipëria goditej sa herë zihej me gojë në institucione ndërkombëtare dhe në mediat e mëdha ndërkombëtare. Ne kaluam shumë sfida, nga tërmeti tek pandemia dhe kriza e rëndë e inflacionit, që nëse do gjenin Shqipërinë në gjunjë, do degdisnin këtë vend në një humnerë sociale të paimagjinueshme, të ngjashme me humnerën e vitit 2017, por falë PS, të treja fortunat dërrmuese na gjetën në këmbë dhe të gatshëm për të mbrojtur njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Në këtë dekadë të parë të qeverisjes kemi punuar shumë në çdo front. Kemi luftuar me mijëra plagë. Fortunat na gjetën në këmbë dhe të gatshëm, me një shtet që nuk i lë vetëm në momentet e vështirësive të mëdha. Imagjino sikur pandemia të na kishte gjetur me spitalet e vitit 2013, apo me planin e karantinës për mospërhapjen e armikut të padukshëm sesi do të kishin shkuar gjërat. Merre me mend sikur egërsia e luftës të na kishte gjetur me gjysmën e miletit që nuk paguante dritat dhe me kompaninë e shpërndarjes që ishte në prag të shkatërrimit përfundimtar. Sot Shqipëria është një vend krejt tjetër, i cili çmohet dhe pret mbi 10 milionë turistë. Ka monedhë kombëtare më të fortë se asnjë herë. Pas një dite të gjatë punimesh të këtij Kongresi, ku u thanë shumë gjëra dhe pas 10 vitesh të pandalshme, unë nuk dua të përsëris ato që u thanë, as t'ju marr më shumë kohë. Dua të përqëndrohem vetëm në disa tema kyçe të së nesërmes për Shqiërinë, shtetin dhe partinë. Me vlerën dhe punën që kemi bërë, Shqipëria nuk është jashtë rrezikut të rikthimit mbrapa nëse ne nuk do të fokusohemi me angazhimin e përbashkët të garancive të progresit pa ndalim. Jemi një vend i gatshëm për t'u anëtarësuar në BE. Dua ta besoni se për ne asgjë nga këto që u thanë edhe u panë nga mëngjesi e deritani nuk mund të jetë mjaft. Do ndërtojmë më shumë infrastrukturë, do rrisim turizmin, patjetër; do të bëjmë edhe të tjerat patjetër! Por të gjitha këto nuk do e bëjnë Shqipërinë një vend të gatshëm për të hyrë në BE nëse nuk guxojmë të thyejmë kornizën e progresit gradual. As do e bëjnë këtë parti një forcë qeverise të përkushtuar ndaj kapitalit njerëzor fitoret elektorale të radhës me disa kundërshtarë as të gjallë dhe as të vdekur me disa fitore aq sa vlejnë për të qeverisur vendin, nëse PS nuk e ngre më lart kërkesën ndaj vendit nuk ka kush e bën gati Shqipërinë për në BE. Gatishmëria e Shqipërisë për anëtarësim të plotë në BE janë sot, dhe jo për pak vite të tjera pazgjidhshmërisht të tjera me këtë parti. Prandaj çdokush që ka një detyrë nga kjo parti, duhet t'i vënë gishtin kokës së vetë çdo ditë. Unë ia vë. T'ja kujtoj mirë këtë fakt absolut. Nëse PS ndalon dhe ulet, e kënaqet dhe nuk synon më lart e më lart, garancitë mungojnë dhe progresi vihet në diskutim serioz. Ne do shkojmë në Bruksel me kokën lart. Vetëm një shtet e ka lënë pezull opinionin e vetë por për arsye të mosarsyes së marrëdhënieve fqinjësore. Greqia! Historia dihet. Qëndrimi ynë nuk qëndron deri më 13 dhjetor dhe as nuk do të ndryshojë përtej 13 dhjetorit. Ky qëndrim nuk do të ndryshojë jo sepse jemi kokëfortë por sepse arsyeja për të mos ndryshuar qëndrim është shumë më kokëfortë sesa ne.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Të dashur delegatë të Kongresit, shokë, shoqe, miq dhe të ftuar dhe nga jashtë vendit, por nga brenda familjes sonë të Internacionales Socialiste. Sot kemi shpalosur ambicien dhe prioritetet tona më kryesore të zhvillimit në vijim të një përpjekjeje të përbashkët për ta ngjitur Shqipërinë 2030 në majën e lartë drejt së cilës u nisëm 10 vjet më parë.

Morëm në kurriz një vend të zhytur në borxhe, varfëri, korrupsion në çdo qelizë, krim të organizuar, por edhe krim ordiner të shtrirë në të gjithë zonat e banuara të vendit dhe në një kohë kur askush nuk e merrte seriozisht emrin Shqipëri dhe Shqipëria goditej sa herë zihej më gojë, qoftë në institucionet ndërkombëtare, qoftë në mediat e botës së lirë.

Në këtë dekadë te parë të qeverisjes sonë ne kemi punuar shumë në çdo front dhe kemi luftuar me mijëra plagë të mëdha e të vogla, të trashëguara dhe me plagët e jashtëzakonshme të fatkeqësive të reja që na sprovuan njëra pas tjetrës; një tërmet shkatërrimtar, një pandemi marramendëse, një krizë e rëndë botërore e çmimit të energjisë dhe inflacionit të luftës, të cilat po ta kishin gjetur Shqipërinë në gjunjë siç ishte 10 vjet më parë, do ta kishin degdisur këtë vend në një humnerë ekonomike, financiare, sociale të pa imagjinueshme. Pa asnjë ekzagjerim, të ngjashme me humnerën e vitit 1997 por fatmirësisht dhe vetëm falë Partisë Socialiste të Shqipërisë, të treja furtunat dërrmuese na gjetën në këmbë dhe na gjetën të gatshëm për të mbrojtur njerëzit e zakonshëm të këtij vendi me forcën dhe me dinjitetin e një shteti që ende nuk ua plotëson dot shumë gjëra qytetarëve të tij, por ama nuk i lë vetëm kurrë në momentet e vështirësive më të mëdha.

Parafytyrojeni sikur tërmeti të na kishte gjetur me borxhet mbytëse të vitit 2013! Imagjinoni sikur pandemia të na kishte gjetur me spitalet dhe shërbimet e urgjencës të vitit 2013 apo pa platformën e shërbimeve digjitale që mundësoi zbatimin e planit të karantinës, jetike për mos përhapjen e pakontrollueshëm të armikut të padukshëm, se si do të kishin shkuar gjërat. Merreni me mend sikur egërsia e luftës që ngriti çmimet e energjisë në qiell, të na kishte gjetur me gjysmën e miletit që nuk paguante dritat dhe me kompaninë e shpërndarjes që ishte në prag të shkatërrimit përfundimtar, apo sikur inflacioni i stimuluar nga djallëzia e Moskës për të gjunjëzuar Europën demokratike të na kishte gjetur me arkën e zbrazur të vitit 2013.

Sot Shqipëria është një vend krejt tjetër i cili çmohet botërisht si kurrë më parë për përparimet e dukshme që ka bërë, pret thuajse 10 milionë turistë brenda një viti si ky që po mbyllim, ka një monedhë kombëtare më të fortë se asnjëherë, ecën çdo ditë përpara në çdo drejtim dhe ulet në çdo tryezë të komunitetit ndërkombëtar dhe jo vetëm duke dhënë respekt siç ka bërë gjithmonë, por edhe duke marrë të njëjtin respekt nga të gjithë siç nuk ndodhte përpara se sa ne ta sillnim Shqipërinë në këtë formë dhe në këtë pozicion. Pas një dite të gjatë punimesh të këtij Kongresi ku u thanë shumë gjëra, për çka po bëjmë e për çka do të bëjmë e mbi të gjitha pas 10 vitesh të pandalshme përballjeje në çdo hap me faktet e të shkuarës, unë nuk dua as të përsëris ato që u thanë, as t’ju marr më shumë kohë me ndryshimin si dita me natën, mes te sotmes dhe të djeshme. Dua të përqendrohem vetëm në disa tema kyçe të se nesërmes për Shqipërinë, shtetin dhe partinë.

Unë besoj se me gjithë vlerën e shtuar që kemi krijuar, me punët e gjithanshme që kemi bërë Shqipëria nuk është aspak jashtë rrezikut të rikthimit mbrapa, nëse ne Partia Socialiste e Shqipërisë nuk do fokusohemi me gjithë forcën e ambicies, vëmendjes dhe angazhimit të përbashkët tek krijimi i garancive të progresit pa kthim dhe pa ndalim.

Vetëm merreni me mend për një moment me çfarë ju shikojnë sytë rreth e rrotull sikur ne të mos jemi këtu dhe të tjerë të jenë në vendin tonë se me çfarë shpejtësie mund të bëhet i gjithë ky progres. Prandaj ne na duhen të paktën tre garanci:

Një vend i gatshëm për t’u anëtarësuar në BE.

Një shtet ku fryma e modernizmit të hyjë në të gjitha venat e organizimit të tij

Një forcë qeverisëse e përkushtuar ndaj kapitalit njerëzor të shoqërisë.

Dua ta besoni se për ne, asgjë nga këto që u thanë dhe u panë nga mëngjesi deri tani nuk mund të jenë mjaft. Ne do ndërtojmë më shumë infrastrukturë patjetër. Ne do ta rrisim turizmin, patjetër. Ne do të bëhemi eksportues neto të energjisë, patjetër. Ne do të bëjmë dhe të tjerat me radhë që u thanë dhe u panë sot, patjetër. Por të gjitha këto nuk do ta bëjnë Shqipërinë një vend të gatshëm për anëtarësim në BE, nëse ne nuk do të kemi një drejtësi europiane dhe një mirëqeverisje europiane; as nuk do ta bëjnë këtë vend një shtet ku fryma e modernizimit të hyjë në çdo venë të tij, nëse ne nuk do të guxojmë të thyejmë kornizën e progresit gradual përmes inovacionit, jo gradual dhe jo thjeshtë në aspektin teknologjik, por në qasjen, në filozofinë e qasjes së institucioneve ndaj idesë së progresit. Dhe as s’do ta bëjnë këtë parti një forcë qeverisëse të përkushtuar ndaj kapitalit njerëzor të shoqërisë, fitoret elektorale të radhës me disa kundërshtarë as të gjallë dhe as të vdekur, të cilat fitore, aq sa vlejnë duke na dhënë mundësinë të udhëheqim vendin, aq edhe mund të na ulin nivelin e kërkesës jetike ndaj vetvetes si forcë udhëheqëse e Shqipërisë, duke e lënë praktikisht progresin pa asnjërën nga të treja garancitë e domosdoshme që përmenda.

Sepse nëse PS nuk e ngre më lart dhe më lart, dhe më lart kërkesën ndaj vetes përmes secilit prej drejtuesve të saj në çdo nivel ku ata drejtojnë, në radhë të parë, atëherë nuk ka as kush e bën gati Shqipërinë për t’u anëtarësuar në BE, as kush fut gjakun e modernizimit në çdo venë të organizmit të shtetit dhe as kush t’i përkushtohet kapitalit njerëzor të Shqipërisë.

Gatishmëria e Shqipërisë për anëtarësim të plotë në familjen europiane, fuqia modernizuese e organizimit të shtetit shqiptar dhe rritja e kapitalit njerëzor, janë sot dhe jo për pak vite të tjera pazgjidhshmërisht të lidhura me këtë parti. Prandaj, çdokush që ka një detyrë nga kjo parti apo një detyrë për këtë parti duhet t’i vërë gishtin kokës vet çdo ditë. Unë ia vë! Dhe t’ia kujtoj mirë këtë fakt absolut, që nëse PS ndalon, ulet, vetëkënaqet dhe nuk synon më lart e më lart e më lart, garancitë mungojnë dhe progresi vihet në diskutim serioz, në një botë, në një rajon, në një kohë kur çdo ditë që dikush ndalon, distanca me të tjerët që vrapojnë bëhet shumë herë më e madhe sesa ç’ndodhte në kohëra përpara kësaj.

Ne do shkojmë në Bruksel javën e ardhshme për mbledhjen e Këshillit Europian me Ballkanin Perëndimor, me kokën lart dhe me bindje në meritat e Shqipërisë për të gjitha rezultatet e nënvizuara qartë në raportin e progresit të Komisionit Europian, si dhe të përshëndetura pa asnjë rezervë nga 26 shtete anëtare të Bashkimit Europian.

Vetëm një shtet e ka lënë ende pezull opinionin e vet, jo për rezultatet e pamohueshme të Shqipërisë për hir të së vërtetës, por për një arsye të mos arsyes tradicionale ballkanike në marrëdhëniet fqinjësore, Greqia. Historia dihet, nuk ka nevojë të humbasim kohë dhe sot, duke përsëritur qëndrimin tonë ndaj arsyes në fjalë. Qëndrim, që as nuk ndryshon deri në 13 dhjetor dhe as nuk do të ndryshojë përtej 13 dhjetorit! Dhe ky qëndrim nuk do të ndryshojë, jo sepse ne jemi kokëfortë, por sepse arsyeja për të mos ndryshuar qëndrim është shumë më kokëfortë sesa ne.

Drejtësia për Shqipërinë është sot si uji që sapo ka nisur të dalë me vështirësi në një shkretëtirë ku brez pas brezi ishte e trashëguar gojëdhëna se “nuk do dilte kurrë”. Unë nuk do të pranoj ta besoj deri në 13 dhjetor se fqinjët tanë do t’i vënë tapën e vetos shishes së hapur me aq shumë përkushtim, punë dhe profesionalizëm nga një skuadër prej më shumë se 1000 vetash në gjithë sistemin e shtetit tonë që e kanë përfaqësuar me dinjitet dhe me seriozitet Shqipërinë përgjatë këtij viti në tryezat e dialogut dhe të prezantimeve në Bruksel për skanimin e plotë të gjendjes së vendit duke na nderuar të gjithëve dhe duke provuar me fakte të panumërta gatishmërinë e Shqipërisë për ta vazhduar më tutje procesin e negociatave, duke çelur grup-kapitullin përkatës.

Por juve të gjithëve dhe atyre shqiptarëve që na dëgjojnë dua t’ju them shumë sinqerisht se në rast se kjo ndodh unë nuk do kthehem nga Brukseli i mërzitur. Asnjë fije i mërzitur, ju siguroj për këtë, por do kthehem dhe më krenar për Shqipërinë, edhe më i motivuar për të vazhduar se bashku punët e mëdha të shtëpisë sonë të përbashkët, edhe më i bindur se një absurditet i tillë në rast se ndodh nuk do ta vonojë dot as një ditë procesin e anëtarësimit tonë në BE, madje edhe më i vendosur për ta përshpejtuar këtë proces edhe për ta bërë gati Shqipërinë për BE-në edhe më përpara akoma se BE-ja të jetë gati për Shqipërinë./ZËRI

Poll

MOS HUMB