
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zbuluar bisedën me krijuesen shqiptare të ChatGDT, Mira Muratin. Në fjalën e tij, në Kongresin e Partisë Socialiste ka zbuluar se ka biseduar me Mira Muratin, e në fund, ajo ka pranuar që ta ndihmojë në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas kreut të qeverisë, Murati do të ndihmojë në përkthimin e masave ligjore të BE-së që duhet të ndërvendosen në legjislacionin shqiptar. E më 13 dhjetor, në Samitin e BE, rezultati i testit të AI do të jetë mbi tavolinën e çdo të pranishmi.
"E kërkoj Mira Muratin dhe ajo më jep një takim telefonik dhe marr guximin ti kërkoj ndihmë për ta bërë gati më shpejt Shqipërinë në BE. Ajo qeshi se mendoi se po bëja humor, unë e pyes a është e mundur që në vend që të rekrutojmë një armatë me përkthyer dhe juristë dhe të shpenzojmë dhjetra miliona euro për të bërë gati në shqip malin me masat ligjore të BE ta bëjmë përmes ChatGDT. Ajo tha po më duket e mundur. Kështu nisi puna me Mirën që e krijuam me AKSHI-n dhe ekspertët e saj. Dua të ndaj me ju që me 13 dhjetor në Bruksel kur të mbarojë mbledhja do t'ja lë mbi tavolinë rezultatin e testit të AI për ndërvendosjen në legjislacionin tonë të 280 mijë faqeve, masave të BE-së. Modeli ynë revolucionar nuk bën thjesht përkthim por edhe në një sërë shërbimesh të tjera duke na ekspozuar vargmalet e vendosjeve dhe duke na dhënë analizën e impaktit për çdo masë që do na duheshin dhjetra ekspertë ndërkombëtarë,"-tha Edi Rama.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Askush nga ne nuk e kishte dëgjuar më parë emrin e një vajze vlonjate, një talent gjenial shqiptar që quhet Mira Murati. E dëgjuam të gjithë njëkohësisht, bashkë me gjithë botën emrin e Mira Muratit kur ajo mahniti të gjithë me krijesën e inteligjencës artificiale me emrin “chat gpt”. Po ju e dini se si është jeta. Secili ka fiksimin e vetë. Unë kam fiksimin tim. Dhe e kërkoj Mira Muratin, me thënë të drejtën i ndrojtur nga një ndrojtje që përgjithësisht nuk më karakterizon, dhe ajo më jep një takim telefonik. Dëgjoj një zë miqësor që shkrin menjëherë akullin dhe unë marr guximin t’i kërkoj ndihmë për ta bërë gati më shpejt Shqipërinë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ajo qesh se mbase kujtoi se unë po bëja humor, megjithatë thotë “po të dëgjoj”. Unë e pyes, a është e mundur që në vend se ne, siç kanë bërë vendet e tjera më parë të rekrutojmë tani një armatë me përkthyes dhe një batalion me juristë dhe të shpenzojmë nuk e di se sa dhjetëra miliona euro për të bërë gati në shqip malin me masat ligjore të BE-së, ta bëjmë këtë përmes ‘’chat gpt-së’’. Ajo e dëgjoi me kujdes gjithë parashtrimin që unë i bëra pyetjes se nuk po e zgjas këtu, dhe më përgjigjet, “po më duket e mundur”. Kështu nisi puna me Mirën dhe me një skuadër të përbashkët që ne e krijuam me AKSHI-n dhe me ekspertët e saj.
Dhe sot, dua ta ndaj me ju që në 13 dhjetor në Bruksel, kur të mbarojë mbledhja bashkë me dilemën greke, unë do tua lë si kartolinë të Vitit të Ri të Shqipërisë të gjithë liderëve të Bashkimit Europian rezultatin e testit të suksesshëm të modelit shqiptar të inteligjencës artificiale për ndërvendosjen në legjislacionin tonë të 280 mijë faqeve, masa ligjore të BE-së.
Dhe modeli ynë revolucionar këmbë e krye i gjithë këtij procesi monumental për nga volumi i punës, nuk bën thjesht përkthim, por edhe një sërë shërbimesh të tjera, për të cilat unë nuk po zgjatem këtu, por në thelb na mundëson një “qërim farmaceutik” të gjithë thasëve të pafundme të orizit të legjislacionit tonë në tërësi, duke, nga njëra anë, na ekspozuar të gjitha vargmalet e mbivendosjeve që kanë ndodhur si rezultat i kalimit të ligjeve apo të vendimeve të qeverisë pa marrë parasysh se çfarë kanë shkruar ligje të tjera dhe vendime të mëparshme dhe duke krijuar një situatë ku atë që ta jep një ligj, nuk ta jep ligji tjetër apo atë që ta jep një vendim qeverie, s’ta jep vendimi tjetër dhe duke na dhënë edhe analizën e impaktit të çdo mase që ndërvendoset në legjislacionin shqiptar për të cilën do të na duheshin përndryshe dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra ekspertë ndërkombëtarë. Dhe patjetër, duke na garantuar edhe një vend nderi në historinë e kampionatit europian të integrimit.
Kush është Mira Murati?

Mira Murati ka lindur në Shqipëri por u transferua në Shtetet e Bashkuara, ku studioi inxhinieri në Kolegjin Dartmouth në New Hampshire. Më pas, ajo filloi karrierën e saj profesionale si analiste verore në gjigantin e investimeve Goldman Sachs. Murati ka mbajtur pozicione duke përfshirë Menaxher të Lartë të Produkteve për Modelin X në Tesla dhe Zëvendës Presidente e Produkteve dhe Inxhinierisë në Leap Motion. Në vitin 2018 ajo më pas iu bashkua OpenAI. Ajo ka mbajtur pozicionin e CTO që nga maji 2022 dhe është përgjegjëse për zhvillimin e ChatGPT, ndër të tjera./ZËRI