
TIRANË- Edhe pse prokuroria e thërret për herë të dytë si të pandehur, Arben Ahmetaj as nuk ka në plan të dalë përpara drejtësisë në procesin hetimor në ngarkim të tij. Në një komunikim me ZËRI.ai, përmes Whatsapp, ish-numri i qeverisë thotë se gjithçka ka bërë është "mbrojtja e aksioneve shtetërore" në çështjen e privatizimit të fabrikës "BUKA".
I pyetur se cili ishte roli i tij në këtë dosje dhe nëse kishte një koment për akuzën e shpërdorimit të detyrës, Ahmetaj tha: Lexoni dosjen. Do kuptoni rolin dhe çfarë është bërë. Janë mbrojtur në bazë të ligjit vlera e aksioneve shtetërore.
Ndërsa më tej, i pyetur se cila/cili ishte "koka e zezë" që po e ‘përndiqte’, ish-numri dy i qeverisë preferoi të mos fliste shumë duke ia lënë sërish mister identitetin.
“Gjejni ju! Kur të gjeni një letër timen të kundraligjshme botojeni 200 herë,”-shtoi Ahmetaj në prononcimin e dhënë për Zëri.ai.
Arben Ahmetaj është marrë për herë të dytë si i pandehur nga SPAK, këtë herë për privatizimin e ish-fabrikës së bukës, në kohën kur ai ka qenë në krye të Ministrisë së Ekonomi. Dëmi që llogaritet është rreth 700 milionë lekë të rinj. Hetimet vijojnë dhe në drejtim të biznesmenit Lirim Fezollari, i cili në truallin ku ka qenë ish-fabrika e bukës tashmë ka ndërtuar qendrën tregtare Emerald. Prona në fjalë i përkiste familjes Myderizi./Zëri.ai