Aktualitet

‘Janë orë të vështira’, ambasadorja shqiptare në Izrael nxjerr videon nga aeroporti

Ambasadorja Meri Kumbe tha se prej dy ditësh tashmë stafi i ambasadës, në bashkëpunim me ministrin e jashtëm Igli Hasani kanë vendosur kontaktet me të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Izrael.

E.K
‘Janë orë të vështira’, ambasadorja shqiptare
Ambasadorja Meri Kumbe

IZRAEL- Përmes një videoje nga aeroporti "Ben Gurion", ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, ka garantuar se të gjithë shtetasit shqiptarë që duan të largohen nga ky vend pas luftës që ka nisur mëngjesin e së shtunës, do të ndihmohen dhe asistohen për t’u kthyer në Shqipëri.

Ambasadorja Meri Kumbe tha se prej dy ditësh tashmë stafi i ambasadës, në bashkëpunim me ministrin e jashtëm Igli Hasani kanë vendosur kontaktet me të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Izrael. Deri tani nga stafi i ambasadës nuk raportohet për shqiptarë të lënduar apo prekur në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga sulmi që grupi i Hamasit ka nisur ndaj Izraelit, që vijoi më pas dhe me reagimin e këtyre të fundit.

“Unë jam Meri Kumbe, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Izrael dhe aktualisht ndodhen në aeroportin e Tel Aviv. Prej 48 orësh, kam qenë në kontakt me Ministrin e Evropës dhe Punët e Jashtme z. Hasani dhe përmes Ministrisë dhe stafit të ambasadës jemi në kontakt me shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë në Izrael për t’i ndihmuar në largimin nga vendi.

Me porosi të Ministrit ka vëmendje maksimale për shtetasit tanë, për punonjësit dhe familjarët e ambasadës si edhe për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut.

Janë orë të vështira për ne këtu në Izrael, por në emër të qeverisë shqiptare garantoj shtetasit shqiptarë dhe familjet e tyre, që nën drejtimin e Ministrisë tonë të Jashtme dhe autoriteteve izraelite po ndiqen të gjitha procedurat për sigurinë e tyre, gjatë qëndrimit dhe largimit drejt Shqipërisë", shprehet ambasadorja në video.

Prej mëngjesit të së shtunës grupi i Hamasit goditi me raketa Izraelin, sulme që më pas vijuan mes dy vendeve, dhe deri tani kanë prodhuar më shumë se 600 të vrarë./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB