TIRANË- Një 58-vjeçar, i cili ishte shpallur i zhdukur nga familjarët e tij gjatë ditës së djeshme, është gjetur i vdekur në rrethana tragjike.
Ai ka humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një ashensori, në një pallat në ndërtim e sipër në zonën e ish-fushës së aviacionit. Nuk bëhet me dije nëse 58-vjeçari ishte strehuar aty, apo punonte në këtë pallat në ndërtim.
Policia e Tiranës njofton se aksidenti në ashensor ka ndodhur rreth orës 11:30 të paradites së sotme.
“Më datë 08.10.2023, rreth orës 11:30, te ish-Fusha e Aviacionit, dyshohet se si rezultat i një defekti, ka rënë nga kati i parë, në katin minus një, ashensori i një pallati në ndërtim e sipër.
Si pasojë ka ndërruar jetë shtetasi T. M., 58 vjeç, për të cilin kanë kallëzuar familjarët, se ditën e djeshme nuk është kthyer në banesë.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia e Tiranës./Zëri.ai