
TIRANË- Zbardhet shkresa e Kuvendit drejtuar Gardës. Në shkresën që sekretari i përgjithshëm i Parlamentit, Genci Gjonçaj i ka dërguar Gardës së Kuvendit, njoftohen për emrat e deputetëve të përjashtuar të opozitës.
Në shkresën e Kuvendit theksohet se 6 prej deputetëve të përjashtuar të opozitës nuk mund të marrin pjesë në aktivitetet parlamentare deri në përfundimin e afatit të përjashtimit.
"Ne vijim te shkresës tone 3305/2 date 1.11.2023, Ju beje me dije se personat per te cilët eshte marre mase disiplinore nga komisioni per procedurat,votimet dhe etiken përkatësisht z.Gazmend Bardhi, Bledion Najibati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Saimir Korreshi nuk mund te marrin pjese ne aktivitetet parlamentare ne kryesine e Kuvendit deri ne përfundim te afatit te njoftuar me shkresën e lart cituar”, thuhet në shkresë.
Deputetët e PD-së që janë përjashtuar për 10 ditë janë Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, Saimir Korreshi dhe Lefter Geshtenja. Edhe pse të përjashtuar deputetët e PD-së u përplasën me punonjësit e Gardës, ndërkohë që një pjesë e tyre hipën në dritare në mënyrë që të futeshin në ambientet e brendshme të Kryesisë.