
TIRANË- Edhe pse po kalon afro një javë nga kontrolli që Prokuroria e Posaçme ka kryer në banesën, bizneset dhe personat e lidhur me Ilir Beqajn, SPAK lë ende pezull, nëse në këto ambiente janë gjetur materiale me vlerë për hetimet, ndërsa në mesin e personave që janë skanuar janë shtetasit Sabjan dhe Ermal Kurtulaj.
Zëri ka thelluar kërkimet për këta dy të fundit, që rezulojnë se kanë kaluar pushimet e verës në një prej resorteve luksoze të Dhërmiut, në Nassau, biznes i cili është në pronësi të grupit Niki Konstruksion & Solar SHPK. Kjo kompani në fakt rezulton një prej bizneseve që kanë prerë fatura fiktive për llogari të Beqajt dhe Kurtulajt.
Bëhet fjalë për një faturë fiktive në vlerën e rreth 4 mijë eurove, e cila fillimisht është refuzuar dhe më pas është prerë nga ana e kompanisë. Pazaret për këtë duket se janë mbyllur që në verë, kur dy Kurtulajt kalonin pushimet dhe ndanin pamjet nga ky resort.

Burime bëjnë me dije për Zërin se Nassau është në pronësi të biznesmeni Artan Nito.

Ermal Kurtulaj duket të jetë shoqëruesi i përhershëm i Ilir Beqajt, saqë në më shumë se 10 vite pushtet të socialistëve ka mbajtur 3 herë poste drejtuese, kjo në sajë të lidhjes së afërt të tij me ish-ministrin e drejtësisë. Për herë të parë Ermal Kurtulaj ka njohur pozitat e drejtorit, në vitin 2014, kohë që përkon edhe me drejtimin e ministrisë së shëndetësisë nga Ilir Beqaj.
Nga 3 janari 2014 deri më 31 janar 2016, Kurtulaj ishte pjesë e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (në varësi të ministrisë së shëndetësisë), me 3 detyra: Drejtor për menaxhimin e ilaçeve të rimbursuara, për kontratat me kompanitë e importit të ilaçeve, për përzgjedhjen e farmacive me rimbursim dhe mbikëqyrjen e tyre.
Ndërkohë që pas vitit 2016, Ermal Kurtulaj u emërua në një tjetër pozicion të rëndësishëm brenda ministrisë së shëndetësisë, që ishte ajo e specialistit të mbikëqyrjes së PPP-ve si dhe koordinator të Agjensisë së Barnave, ku qëndroi deri në vitin 2018, një vit pasi Beqaj u largua nga drejtimi i një prje ministrive më të rëndësishme.
Edhe pse pa dorë të lirë në qeveri, Ilir Beqaj nuk e lëshoi lehtë mikun e tij Ermal Kurtulaj, të cilin e emëroi në muajin Prill 2018 si Drejtor Ekonomik-Financiar dhe person të autorizuar për veprimet me bankat, te kompania e tij “INTECH+Shpk”, firmë e cila në 10 vite ka marrë m 52 milionë Euro tenderë nga qeveria.
Dhe menjëherë pas marrjes së detyrës së re në SASPAC, ku do të menaxhoheshin dhe donacionet e huaja, Ilir Beqaj e emëroi Kurtulajn, vartësin e preferuar të tij, si përgjegjës të kontakteve. Pikërisht detyra e fundit është bërë subjekt i hetimeve të SPAK, pasi Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulaj bashkëpunonin mes tyre, në mënyrë që të merrnin paratë e të huajve, përmes lëshimit të faturave fiktive. Njëra prej skemave ishte pikërisht restoranti “Gzona” në Kalanë e Tiranës, që dyshohet të jetë një pronë e fshehur e Ilir Beqajt dhe Ermal Kurtulajt.
Sa i takon dosjes hetimore që është siguruar nga ZËRI, më 7 raste, Kurtulaj rezulton se ka kryer prerjen e faturave fiktive nga subjekte të caktuara për shërbime të pakryera me qëllim përfitimin e parave që do të paguheshin nga programi Eusair, në të cilin ai ishte koordinator.
Lidhja 10-vjeçare e Ilir Beqajt dhe Ermal Kurtulajt, ka qënë aq e ekspozuar saqë vartësi i ish-ministrit i linte edhe makinën në përdorim. Ose ose, e thënë më thjeshtë nuk linin gjë pa ndarë me njëri tjetrin. /ZËRI