Politikë

Opozita pa ‘kokë’

Teksa bëjmë rezymenë për vitin që lamë pas, ka diçka që mbetet pa emër; kreu i opozitës.

Kejsi Muça
Opozita pa ‘kokë’
Sali Berisha

TIRAΝË-Dhjetor, 2023! Shqipëria ka lënë pas një vit me shumë ngjajre, nga ato që shumë pak gazetarë kanë fatin që t’i raportojnë gjatë karrierës së tyre. Sidomos në sferën politike.

Teksa bëjmë rezymenë për vitin që lamë pas, ka diçka që mbetet pa emër; kreu i opozitës. Ose me saktë mungesa e një opozite të denjë për të qëndruar krah qytetarëve. Aktualisht nuk e kemi! Nuk është Sali Berisha, të cilit duket se po i orvaten ditët e fundit të pushtetit.

Historia nisi që nga shpallja e tij “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Përjashtimi i përkohshëm që i bëri Lulzim Basha e veshi me petkun e viktimës, duke i rritur pikët në numeratorin politik. Por magjia nuk zgjati shumë! Në një ditë kur kreut aktual të opozitës i rrezikohet liria, kauza e tij me drejtësinë nuk ndezi as frymën qytetare.

Në gjithë historinë e tij politike, Berisha ka bërë beteja më të pamundura në dukje, por nëse kishte diçka që e bënte të mendonte dy herë kundërshtarët e tij politikë ishte padyshim mbështetja popullore. E këtë duket se nuk e ka. Nuk ka as aleatët pranë që kanë halle të tjera mbi krye. Fatmir Mediu ka një çështje të rihapur me Gërdecin, e cila i ka marrë gjithë energjinë e vetë. E përfshirja me Berishën është gjëja e fundit që mund t’i bëjë mirë.

Nga ana tjetër edhe Ilir Meta e Monika Kryemadhi duket se i kanë dhënë duart. Procedurat e divcorcit brenda opozitës kanë nisur, e shenjat i kupton edhe iu verbëri. Një Ilir Meta si president, mblodhi një nga protestat më të mëdha në historinë e tij si politikan për të ‘mbrojtur’ Kushtetutën. Tani që i kërcënohet po ajo Kushtetutë (argumenti që përdor Berisha për të mbrojtur veten) ka nisur të luajë rolin që e mendonte për mbylljen e karrierës.

Në 2022, kur ishte ende president, tha se nëse Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi do të fitonin zgjedhjet, vetë ai kishte vendosur që të niste një largim të zbutur nga politika, pasi ëndërr e kishte të bëhej ambasador.

Gjuhën e diplomatit po e përdor tani, a thua se ka pësuar amnezi. Aq sa ka harruar edhe popullin e 2 marsit që e mblodhi para Presidencës. Me rënien e tij dhe hetimet që SPAK ka nisur si për të ashtu edhe për të shoqen, u duket se heshtja është fjalimi më i mirë që mund të mbajnë. Frikë apo pranim i asaj që po ndodh, këtë më mirë caktojeni ju.

Sa i përket të tjerëve; Dashamir Shehi, Agron Duka, historia ka treguar se tek ta Berisha nuk është mbështetur ndonjëherë që ta bëjë sot. I vetmi që mbetet në detyrë, por vetëm në detyrë ama është Lulzim Basha. Edhe pse po lufton me çdo mjet për të marrë vulën e Partisë Demokratike, fillimisht ndoshta duhet që të paraqitet në Kuvend. Prej muajsh nuk shkon në sallë, për të mos pretenduar më pas të mbajë fjalime dhe të mbështeëse kauza për opozitën e tij. Këtë vit u mjaftua me turin e tij nëpër Shqipëri, teksa mbante veshur një bluzë alla Zelenskyy. Se çfarë arriti me gjithë atë mundim, nuk e morëm vesh kurrë.

Tani me vitin e ri duhet të ketë ndryshime! Janë të nevojshme dhe jetike për të mbajtur gjallë dhe për të “rilindur” opozitën. Nga njëra anë Basha nuk ‘ndez’ më, nuk e bëri as në kulmin e tij, nga ana e Berishës ka nisur edhe pse undercover një luftë e brenshme për drejtimin e PD pas Berishës. Kush do ia zërë vendin e kreut të opozitës.

A do të gjendet pasardhësi brenda selisë blu, apo do të ndiqet modeli ‘grek’? Argita, edhe pse Malltez, e ka bërë të qartë ambicien e saj për të ecur në gjurmët e të atit, por nuk është e vetmja demokrate që do postin e parë. Vetëm se asaj i mbetet ta pranojë dhe të nisë gara. Edhe pse i paqartë dhe i trazuar, viti i ri na premton se do të ketë zhvillime. Mbetet që ZËRI vetëm ti ndjekë!

Poll

MOS HUMB