
TIRANË- Një grup deputetësh dhe qytetarësh, mbështetës të Partisë Demokratike, janë shfaqur paraditen e sotme përpara banesës së Sali Berishës, ku kanë dhënë dhe një deklaratë për mediat.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiani Boçi, tha se qëndresa e opozitës në vitin 2024 do të jetë e fortë, dhe në të gjithë nivelet. Boçi e cilësoi një seli të dytë banesën e Berishës, ndërsa përsëriti thirrjet për mosbindjen civile.
“Ne e kemi kryetarin tonë, mosbindja civile do të jetë e fortë, do të dëshmohet dhe në Kuvend me akte të forta nga deputetët. Sot nuk është sulmuar vetëm Sali Berisha, nuk është sulmuar vetëm opozita, është sulmuar e gjithë shoqëria. Njerëzit sot kanë ardhur spontanisht, në vazhdim ne do të kemi dhe organizimet tona”, u shpreh Boçi për mediat.
I pyetur nga gazetarët se kush e udhëheq sot PD-në, Oerd Bylykbashi u përgjigj pa asnjë mëdyshje, që kryetar mbetet Sali Berisha.
“Vendimet për drejtimin i ka marrë anëtarësia, kryetari i PD-së është Sali Berisha. Ai do të vijojë të udhëheqë betejën e opozitës”, tha Bylykbashi, po pa specifikuar se si do të bëhet drejtimi, sa kohë që Berishës i është ndaluar me vendim gjykate komunikimi me ndjekësit dhe mbështetësit.
Gjykata e Posaçme pranoi dje kërkesën e SPAK për shtrëngimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin i dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "arrest shtëpie"./ZËRI