
TIRANË- Fati i Partisë Demokratike dhe i Sali Berishës dhe këtë të mërkurë mbeti “zvarrë” dyerve të gjykatave, të cilat nuk dolën me vendime të prera sa i përket “vulës” dhe logos së demokratëve dhe arrestit të Sali Berishës. Ky i fundit, sot fitoi dhe një ditë “lirie”, pasi Gjykata e Posaçme vendosi ta shtyjë për nesër vendimin ndaj tij.
Berisha protestë tek Gjykata e Lartë
Ashtu siç dhe kishte paralajmëruar Sali Berisha thirri mbështetësit e tij këtë të mërkurë përballë Gjykatës së Lartë në një protestë për “vulën” e Partisë Demokratike, e cila po shqyrtohej nga trupa gjykuese e përbërë nga: Relatore Gjyqtare Elona Mihali dhe anëtarë Astrit Kalaja dhe Irida Kacerja, e cila vendosi kthimin në Apel të çështjes. Sipas Gjykatës së Lartë, Apeli ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cënueshëm vendimin e dhënë prej saj.
Por, ndërkohë që brenda vendosej fati i “vulës”, jashtë Sali Berisha protestoi me mbështetësit e tij, të cilët ashtu si dhe në dy protestat e shkuara, ishin të paktë në numër.
Në fillim Flamur Noka u kërkoi protestuesve që të bllokonin rrugën para Gjykatës së Lartë dhe të mos lejonin makinat të kalonin, këtu ndërhyn Policia, e cila kërkon lirimin për një pjesë të tyre sa të bëhej i mundur bllokimi i rrugës kryesore, përballë Bankës së Shqipërisë dhe Rrugës së Kavajës, kjo u kundërtshtua nga Noka. Dhe ndërhyrja e Kryepolicit të Tiranës Tonin Vocaj nuk zgjidhi punë. Bllokimi i rrugës solli pakënaqësi tek shoferët, të cilët u gjenden të papërgatitur dhe u binin borive në shenjë revolte. Por kishte dhe nga ata që lanë shërbimin dhe u bashkuan me protestuesit, siç ishte rasti i një fatorinoje autobusi.
Sali Berisha iu bashkua 30 minuta me vonesë protestuesve. I ngjitur në podium, Sali Berisha sulmoi Gjykatën e Lartë si të kapur nga Qeveria ndërsa përsëriti akuzat për Kryeministrin Edi Rama dhe ish-paraardhësin e tij Lulzim Basha.
Më pas marshimi i demokratëve u ndal tek selia e Partisë Socialiste. Një skenar i tillë zuri të papërgatitur dhe efektivët e Policisë, të cilët në pamjet e siguruar nga ZËRI vraponin për ta formuar kordonin e sigurisë.
Pasi qëndroi për disa minuta para selisë rozë, kreu i Partisë Demokratike marshoi në këmbë drejt selisë blu, nga ku do të mbyllte dhe fazën e radhës të “mosbindjes civile”. Më pas qëndroi në zyrë, ku zhvilloi takime me deputetët dhe bashkëpunëtorët e afërt në pritje të vendimit të Gjykatës se Posaçme, e cila do ta çojë drejt “Arrestit të shtëpisë”. Nga selia blu, përpara demokratëve, Berisha paralajmëroi protesta para SPAK dhe Kryeministrisë, por nuk tregoi mënyrën se si do të zhvillohen nëse ai do të jetë i izoluar në shtëpi me vendim gjykate.
Gjykata e Posaçme shtyn për nesër arrestimin e Sali Berishës
Teksa Sali Berisha priste në zyrë vendimin e Gjykatës së Posaçme, kjo e fundit vendosi të shtyjë për nesër në orën 15:00 vendimin përfundimtar për masën e sigurisë “Arrest shtëpie” të kërkuar nga SPAK, për ish-Kryeministrin Sali Berisha. Kjo lëvizje i jep Sali Berishës dhe një ditë tjetër lirie. Në fund, në orën 14:00 ai u largua i buzëqeshur nga selia blu.
Mbetet ende e paqartë se si do të vijojë drejtimi i Partisë Demokratike në kushte të tilla, Sali Berisha shprehet i bindur se pavarësisht çdo gjëje do jetë ai që e drejtojë PD-në, por dhe sa mund të vazhdohet kështu?/ZËRI