
TIRANË- Vendimi i kësaj të mërkure i Gjykatës së Lartë për të rikthyer në Apel çështjen për “vulën” dhe logon e Partisë Demokratike ka përplasur sërish dhe pse në distancë Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Dhe pse ky i fundit zgjodhi të reagonte në emër të zëdhënëses Mirela Karabina. “Sulmet” i nisi i pari Sali Berisha, nga protesta që kishte thërritur përballë Gjykatës së Lartë, ndërkohë që brenda saj zhvillohej seanca. Sipas Berishës, nuk ka dyshim se kujt i takon vula pasi demokratët kanë folur me votë, brenda anëtarësisë ku kanë zgjedhur atë në krye. Po ashtu shton se ka shumicën e demokratëve. Ndër të tjera Sali Berisha nuk i kurseu akuzat për paraardhësin e tij Lulzim Basha.
Sali Berisha: A ka njeri të lirë sot që mendon se Lulzim Basha mund të bëjë një opozitë duke iu dhënë simboli i PD? A ka njeri të lirë sot që të tresi rrëmbimin nga gjykata të simbolit të PD? Cili është ai skllav që thotë se ky vendim duhet zbatuar vetëm pse doli nga gjykata, armë e diktaturës së re, e diktaturës së bandave, diktaturës së krimit? Cili është ai skllav që do lejojë një gjykatë në shkelje të ligjit, me urdhër të Edi Ramës, t’i konfiskojë Shqipërisë opozitën, për të cilën ka nevojë, siç ka nevojë zogu për ajrin për jetën e tij? Cili është ai skllav që do lejojë një gjykatë në shkelje të ligjit të varrosë pluralizmin në Shqipëri? Ky akt ndodh vetëm e vetëm që të kemi një Shqipëri pa opozitë. Jo vetëm demokratët, por edhe çdo shqiptar që pajtohet me këtë vendim, do pranojë një nënshtrim poshtërues. Janë 600 mijë shqiptarë që këtë vendim nuk mund ta pranojnë kurrë. Janë 2 milionë shqiptarë që me këtë vendim duan t’i lënë pa një opozitë për t’i mbrojtur një regjim.
Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha, e cila ligjërisht edhe sot mban ‘vulën” e PD priti të reagonte pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Në një reagim zyrtar për mediat “vula” shprehej se vendimi i sotëm është një tjetër hap drejt vendosjes së drejtësisë së vonuar për çështjen e PD
Reagimi
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë është një tjetër hap drejt vendosjes së drejtësisë së vonuar për çështjen e PD. Partia Demokratike mbetet e bindur që kjo çështje, peng i procedurave juridike do te gjejë zgjidhjen e duhur dhe ligjore pa vonesat e shkaktuara nga ata qe minojnë drejtesine dhe të tjerët që i tremben forcimit të opozitës.
-
Çështja e vulës së PD, Basha: Po mbetemi peng i procedurave juridike
27 Dhjetor, 11:55
Ndërkohë nga selia blu, pas marrjes së vendimit nga Gjykata, Berisha deklaroi se ajo nuk u ngrit në lartësinë e misionit të saj që të rrëzojë përfundimisht vendimin e Apelit. Ndërsa shtoi se Gjykata e Lartë vepron nën diktaktin e Kryeministrit Edi Rama.
Sali Berisha: Gjykata e Lartë nuk u ngrit në lartësinë e misionit të saj që të rrëzojë përfundimisht vendimin e Apelit. Aktualisht në fuqi është vendimi i Shkallës së Parë, sepse Gjykata e Lartë nuk e çoi për rigjykim në Shkallën e parë, por e çoi për rigjykim në Apel, duke marrë një vendim disiplinues ndaj treshes që mori atë vendim, duke kërkuar që të mos e gjykojë më ajo, për arsye të cilat duhet lexuar vendimi. Pra, kthehemi siç kemi qenë në fillim, kur vendosi Gjykata e Faktit. Ky është realiteti. Çdo interpretim tjetër është krejtësisht i gabuar. Gjykata e Lartë nuk mund të merrte vendim, nëse do gjykonte në lartësi, përveçse njohjen përfundimtare të Gjykatës së Faktit. Pse e them këtë? Vetë Gjykata e Lartë ka disiplinuar, se kjo quhet disiplinim, sepse të të përjashtojë nga e drejta e rigjykimit, ajo normalisht po të mos kishte probleme të rënda, i takonte ta gjykonte e njëjta trupë, por fakti që u detyrua të përjashtojë trupën dhe pastaj, pra kaq skandaloze ishte gjendja aty në vendim, kaq skandaloze ishte saqë nuk mund të përtypej në asnjë mënyrë dhe u detyrua ta kthejë me një trupë tjetër. Në një kohë kur vendimi i vetëm jashtë diktatit të Edi Ramës, do ishte që lihet në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, i cili është në fuqi, por është në fuqi gjersa të gjykohet, që të mos bëjmë interpretime. Të dyshosh tani që Gjykata e Lartë nuk kontrollohet nga Edi Rama, tani mos e pyet.
Por i menjëhershëm ishte reagimi i zëdhënëses së “vulës” Mirela Karabina, e cila sulmoi Berishën, duke deklaruar se ka dy vite që i mban me gënjeshtra demokratët me qëllim që ti përdorë si mburojë “ndaj halleve me drejtësinë, me SHBA-në apo dhe me Britaninë e Madhe.
Mirela Karabina: Berisha ka dy vjet që i mban me gënjeshtra mbështetësit e tij për t'i përdorur si mburojë ndaj halleve me drejtësinë me SHBA apo me Britaninë e Madhe. Fitorja e sotme e pretenduar e Berishës është njësoj si ajo në Francë kundër Sekretarit të Shtetit të SHBA. I vetmi ndryshim i sotëm është se PD vazhdon ringritjen e saj dhe përgatitjen për zgjedhjet, ndërsa Sali Berisha do të duhet të përballet me akuzat për korrupsion, ndërsa është edhe në listën e zezë të SHBA dhe Britanisë së Madhe. Sa do të mundohen, sado të investojnë në mediat e tyre me paratë e krimit dhe korrupsionit për të shpërndarë lajme të rreme, aleanca e kullave Rama-Berisha nuk do ta mbajnë dot perng PD. PD pret që me shpejtësi dhe pa vonesë gjykata e Apelit të shqyrtojë këtë çështje për të mbyllur njëherë e mirë diskutimet rreth PD.
-
Vula në duart e Bashës...sërish!
27 Dhjetor, 17:15
Gjykata e Lartë vendosi këtë të mërkurë kthimin e çështjes për logon dhe vulën e Partisë Demokratike në Gjykatën e Apelit. Kjo pasi, sipas Gjykatës së Lartë, Apeli ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cënueshëm vendimin e dhënë prej saj. Dosja do të shqyrtohet nga një trupë tjetër gjykuese./ZËRI