
TIRANË-Ervin Hoxha ka marr sot detyrën si Ministër i Brendshëm, ku prioritet sipas tij do të jetë reformimi i drejtuesve të Policisë. Në fjalën e tij Hoxha tha se një pjesë e konsiderueshme e karrierës së tij lidhet ngushtësisht me detyra në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, fillimisht si punonjës, drejtues e tashmë titullar, çka rrit ndjenjën e përgjegjësisë për këtë detyrë.
Ai listoi shkurtimisht disa prioritete si Ministër i Brendshëm, duke nisur nga reformimi gjithëpërfshirës në zinxhirin drejtues të Policisë së Shtetit, zhvillimin teknologjik për të parandaluar ngjarjet kriminale e rritur sigurinë publike, apo përmirësimin e sjelljes dhe etikën e trupës policore në raport me qytetarët.
"Ligji i ri Policisë së Shtetit do na mundësojë realizimin e një reforme të thellë në një ristrukturim dhe efikasitet për shërbimet e policisë, në kontrollin e territorit”-theksoi ministri Hoxha.
Ndërkohë ish-ministri i Brendshëm Balla e konsideroi nder të madh të shërbente si Ministër i Brendshëm. Ai renditi disa arritje në këtë një vit në detyrë, duke nisur nga miratimi i disa akteve ligjore me rëndësi, si ai për Policinë e Shtetit, ligji për Gjendjen Civile, apo finalizimin e projektligjit për rikuperimin e aseteve të fituara nga krimi./ZËRI