
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar emërimin e ish-kreut të PD së Vlorës, Genc Deromemaj në krye të Kadastrës së Vlorës. Në një konferencë me gazetarët, Berisha u pyet për emërimin e tij, por nuk e fshehu "zhgënjimin" nga personi që drejtonte demokratët në Vlorë. Sipas Berishës, prej tij ka marrë një mesazh para 10 ditëve, me të cilin e informonte se do të largohej përgjithmonë nga politika. Por shtoi se nuk ia kishte bërë me dije se do të zinte vend në administratë.
"Kjo është një zgjedhje e tij dhe unë personalisht e kam thënë dhe e përsëris prapë, thelbin e lirisë e konsideroj të drejtën e zgjedhjes së njeriut. Ai ka bërë një zgjedhje, ka marrë një funksion, ka marrë një post, të cilin një demokrat nuk e merrte kurrë, por zgjedhja është e tij... ...Nuk kam dijeni për asnjë rast tjetër. Nuk kam dijeni, por rasti i tij është evident. Nuk më njoftoi se do merrte një funksion në një vend ku rrinë nga 3 muaj zakonisht, në Vlorë. Por është zgjedhja e tij, kaq është ajo. Investimin ai e ka pasur në PD, se si gjeti këtë vlerësim të lartë nga partia e krimit, është puna e tij, nuk kam dijeni,"-tha Berisha ndër të tjera në fjalën e tij.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Ky person me një karrierë në PD, po që janë gjëra të zakonshme këto, nuk janë të jashtëzakonshme që njerëzit ndërrojnë parti si ky, para 10 ditëve ka dërguar një mesazh ku më informon se do largohet nga aktiviteti politik përgjithmonë. Në fakt nuk ka pasur një aktivitet, për arsye të veta, nuk e di domethënë. Por kjo është një zgjedhje e tij dhe unë personalisht e kam thënë dhe e përsëris prapë, thelbin e lirisë e konsideroj të drejtën e zgjedhjes së njeriut. Ai ka bërë një zgjedhje, ka marrë një funksion, ka marrë një post, të cilin një demokrat nuk e merrte kurrë, por zgjedhja është e tij... ...Nuk kam dijeni për asnjë rast tjetër. Nuk kam dijeni, por rasti i tij është evident. Nuk më njoftoi se do merrte një funksion në një vend ku rrinë nga 3 muaj zakonisht, në Vlorë. Por është zgjedhja e tij, kaq është ajo. Investimin ai e ka pasur në PD, se si gjeti këtë vlerësim të lartë nga partia e krimit, është puna e tij, nuk kam dijeni.
Dje, Genc Deromemaj u emërua në krye të Kadastrës së qytetit të Vlorës për të zëvendësuar Erjon Galanxhin, i cili dha dorëheqjen pas vetëm 3 muajsh në detyrë. Ai ka mbajtur postin e kreut të Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës, ndërsa ka qenë pjesë e PD që prej vitit 2002. Në vitin 2015, kandidoi për bashkinë e Vlorës si kandidat i PD-së, përballë kandidatit socialist Dritan Leli. Genc Deromemaj, që nga viti 2015-2018, ka qenë anëtarë i kryesisë së Partisë Demokratike. Më pas, nga viti 2018-2022, drejtoi degën e PD-së në Vlorë, ndërsa pas vitit 2022, qëndroi si anëtar i Partisë Demokratike në Vlorë./ZËRI