Politikë

Braçe ngre shqetësimin: Spitali në Lushnjë në kushte skandaloze

Deputeti i PS Erion Braçe deklaroi se spitali në Lushnjë është në kushte skandaloze dhe duhet të rikonstruktohet. Braçe kritikoi edhe skemën e mbrojtjes sociale dhe atë të rimbursimit të ilaçeve.

D.XH
Braçe ngre shqetësimin: Spitali në Lushnjë në kushte
Erion Braçe

TIRANË – Deputeti i PD Erion Braçe ngriti një sërë shqetësimesh në Komisionin e Ekonomisë, që u mbajt online. Braçe tha se Spitali i Lushnjës ndodhet në gjendje skandaloze dhe ka nevojë për rikonstruktim.

“A e dini që spitali i Lushnjes është në një gjendje katastrofike. Kam përshtypjen që do të lemerisej mileti po t’ju sillja pamjet nga sallat e operacioneve të spitalit të Lushnjës. Keni një rreth që është më i madh se tre qarqe që ka nevojë për një spital se është në pikë të hallit.

Njësia administrative Rremas nuk ka qendër shëndetësore, dhe të moshuarit ndjekin doktorin nga pas për të firmosur recetat për të marrë ilaçet për rimbursim. E njëjta gjë është në njësinë administrative Bubullimas, ka nevojë për qendër shëndetësore. Nuk dua t’ju jap pamje se do vinit duart në kokë”, u shpreh Braçe.

Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu tha se është parashikuar rikonstruksioni i spitalit në Lushnjë.

“Spitali i Lushnjës është parashikuar për vitin 2024 për t’u hartuar projekti dhe në 2025 fillon rikonstruksioni. Po kështu edhe për të dyja qendrat shëndetësore”, u përgjigj ministrja Koçiu.

Nga buxheti i vitit 2024, 31 miliardë lekë në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë do të shkojnë për mbrojtjen sociale, ku parashikohet të marrin ndihmën ekonomike 64 mijë familje.

Mirëpo, deputeti i PS Erion Braçe mendon se skema duhet të rishikohet, pasi nxit punësimin në të zezë.

“Është e vështirë që në 10 familje t’i gjej të gjitha me 9 mijë lekë. A e mbajnë 9 mijë lekë familjen. Mendoj që jo, nuk u zgjidh asgjë pasi paguajnë faturën e dritave dhe të ujit. Nuk e beson njeri që këto familje jetojnë me 90 mijë lekë. Edhe në fshat jo. Skema ka nxitur punësimin në të zezë, në këto familje ka njerëz që punojnë. Një skemë solidarizimi duhet të jetë për të ndihmuar ato familje që realisht nuk bëjnë dot asnjë punë tjetër”, tha Braçe.

Edhe skemën e rimbursimit të ilaçeve, Braçe e ka konsideruar si skemë joefektive.

“Skema e barnave të rimbursueshme nuk është eficente për më keq akoma shpesh herë është bërë edhe objekt i skemave korruptive që kanë fryrë kompani farmaceutike që i kanë selitë e tyre si hotele me 7 yje”, deklaroi Braçe.

Komisioni i Ekonomisë dhe 4 Komisione të tjera sot u mbajtën online, pasi opozita bllokoi punimet në Kuvend./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB