Politikë

Buxheti i 2024 te Ligjet/ 4 institucione duan më shumë para

4 institucione kanë kërkuar më tepër para nga buxheti 2024, duke u shprehur se buxheti i përcaktuar për ta nuk është i mjaftueshëm.

D.XH
Buxheti i 2024 te Ligjet/ 4 institucione duan më shumë para
Buxheti 2024

TIRANË – Institucionet shtetërore kërkojnë më tepër para nga buxheti i vitit 2024.

Në Komisionin e Ligjeve, 4 institicione shtetërore kanë kërkuar më tepër para. Komisionieri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda tha se përveç 71.2 milion lekëve, i duhen edhe 3.88 mln lekë për specialistë.

“Ne jemi duke kërkuar dy specialistë të rinj, një për drejtorinë juridike dhe një për çështjet ligjore. Po ashtu, do të shtojmë dhe një specialist për monitorimin në aspektin cilësor”, tha Robert Gajda.

Vilma Causholli nga Ministria e Financave deklaroi se rritja e pagave do të nxisë punonjësit, që të arrijnë objektivat e vendosura.

Besnik Dervishi i të Drejtës së Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale tha se përpos 114.7 milionë lekëve për institucionin, duhen dhe 79 mln lekë, që nevojiten, kryesisht për investime në risi të teknologjisë.

“Ne kemi kërkesa minimaliste krahasuar me ato të ministrive për shuma të mëdha. Duam të na rishikohen kërkesat”, tha Dervishi.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave Vilma Çausholli debatoi me përfaqësues të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, për paratë shtesë që kërkoi.

Drejtuesi i Institutit të Studimit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Çelo Hoxha deklaroi se mungojnë 3 milionë lekë për këtë institucion.

“Na mungojnë 3 mln, na janë premtuar nga financat dhe nuk janë në buxhetin 2024. Jemi me qira deri në dhjetor dhe pastaj nëse do vijojmë kështu duhet të futet tek shpenzimet buxhetore”, tha Hoxha.

Çausholliu iu përgjigj kërkesës së Hoxhës. “Institucioni i ka pasur fondet në dispozicion për këto kërkesa që ka pasi në 2023 për 9 muaj ka realizime në rreth 50%. Në lidhje qiranë e institucionit është një fond në dispozicion edhe për 2024, nëse futen në ambientet e reja, krijohen fonde të reja për institucionin në mbi 1 mln lekë”, tha Çausholli.

Ministria e Financave i kërkoi Autoritetit Për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit t’i shohë edhe një herë kërkesat për më shumë para.

“Buxheti total është 152.1 mln lekë. Ka 73 punonjës për 2024. Fondet e 2023 u realizuan në 63%. Në total kërkon 41.1 mln lekë”, tha Saimir Hasalla, deputeti relatues.

“Në 2023 në iu dhanë 20 mln lekë shtesë për identifikimin e të zhdukurve dhe botimet, arkivën digjitale, ky fond mbi atë të 2023 dhe kemi realizim vetëm 10.5mln lekë. Realizimi i 9 mujorit fondet për personelin janë realizuar sa gjysma e tyre të parashikuara në 2024. Meqë viti nuk është mbyllur të rishihen kërkesat shtesë për 2024”, u shpreh Çausholli. 

“Vërtet fondet e 2023 janë të paralizuar, por ne kemi bërë kontratat madhore, e kemi shtyrë realizimin në fund të vitit”, tha Gentiana Sula.

I vetmi institucion që nuk kishte ankesa për paratë që i ka përcaktuar shteti për t’i dhuruar, ishte Komisioneri i Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB