
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha, ka folur pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së që u zhvillua sot në Kryesi, ku tha se parlamenti sot ekziston vetëm si ndërtesë. Në një prononcim për gazetarët nga Kuvendi, Berisha deklaroi se opozita nuk do njohë asnjë ligj që miratohet në kundërshtim të Kushtetutës dhe ligjit.
I pyetur në lidhje me aksionin e ardhshëm të opozitës, dhe a i kanë numrat për nisjen e një greve urie, Berisha tha se deputetët janë të gatshëm që të nisin që nesër përshkallëzimin.
Sali Berisha: Bën luftë me popullin opozitar, shkelmon mbi të drejtat e opozitës. I tmerruar me ato që ka kryer, me abuzimet me postin e tij, e di qe komisionet do ti nxjerrin të palarat dhe vendimet antiligjore dhe si përfundim do të dorëzojë mandatin. Aksionin e keni shumë transparent. Sot e patë, atë komision që ishte nuk ju lanë të futeshit. Parlamenti qëndron vetëm si ndërtesë dhe Grupi i opozitës që mbron Kushtetutën, të tjerët zhduken si minjtë.
Pyetje: A i keni numrat e deputetëve për grevë urie?
Berisha: Që nesër janë të gatshëm. Gatishmëria e qytetarëve është për t’u admiruar.
Pyetje: A do të lejoni miratimin e Buxhetit për 2024?
Berisha: Asnjë ligj që kalon në kundërshtim më Kushtetutën nuk do njihet nga opozita. Ju i patë, i kaluan në 15 minuta ligjet të shqyrtuara në kundërshtim me ligjin, të futura pas karrigeve me Online.
Vijimin e kaosit dhe trazirave në Kuvend e konfirmoi dhe Gazment Bardhi, i cili duke folur për gazetarët dha detaje nga ajo çfarë u diskutua në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.
“Do të vijojmë aksionin tonë për t’i bërë të pamundur mazhorancës zhvillimin e mbledhjeve. Po na nxisin që të shkojmë drejt akteve ekstreme. Opozita është bashkë në parlament dhe jashtë tij. Po flasim për respektim të rregullores, ata kalojnë në një shkelje të re.
Po shton shkeljet e rregullores dhe të kushtetutës. Në vend demokratik kërkon një qeverisje. Mazhoranca të heqë dorë nga pengimi i opozitës. Ambasadorët pyetini vetë. Unë i kam informuar ndërkombëtarët. Një pjesë prej tyre i kam informuar”, tha Bardhi.
Në Kuvend u mbajtën sot mbledhjet e 5 komisioneve parlamentare, të gjithë online, për shkak të aksionit të opozitës për bllokimin e tyre. Edhe pse PD pretendon se mbledhjet e Komisioneve online janë të paligjshme, PS vijon thirrjen e tyre online, ku po diskutohet mbi projektligjin e vitit të ardhshëm./Zëri.ai