Politikë

Gjykata e Tiranës nuk e njeh Kuvendin Kombëtar të Bashës

Gjyqtari Niko Rrapi, ka konstatuar se pa u zgjidhur konflikti që është në Gjykatën e Lartë mbi Kuvendin Kombëtar të 11 Dhjetorit, nuk mund të zhvillohet dhe të konsiderohet i vlefshëm asnjë Kuvend Kombëtar tjetër.

k.m.
Gjykata e Tiranës nuk e njeh Kuvendin Kombëtar të Bashës
Foto ilustruese

TIRANË- Gjykata Civile e Tiranës ka vendosur sot pezullimin e çështjes për shqyrtimin e kërkesës së Lulzim Bashës për miratimin e Kuvendit Kombëtar të 2 Shtatorit, duke pranuar kërkesën e grupit të deputetëve të drejtuar nga Gazment Bardhi. Gjyqtari Niko Rrapi, ka konstatuar se pa u zgjidhur konflikti që është në Gjykatën e Lartë mbi Kuvendin Kombëtar të 11 Dhjetorit, nuk mund të zhvillohet dhe të konsiderohet i vlefshëm asnjë Kuvend Kombëtar i mëpasshëm apo Statut i ndryshuar nga organet e PD-së.

Në këtë mënyrë Statuti i dalë në 2 Shtator, përmes të cilit Lulzim Basha u caktua edhe Kryetar i Grupit Parlamentar nuk është njohur nga Gjykata. Po ashtu sot, u rrëzua edhe kërkesa e Partisë Demokratike (të vulës) për ndryshimin e gjyqtarit të çështjes, Niko Rrapi. Kërkesa e bërë është shqyrtuar nga një tjetër trup gjykues, që si përfundim vendosi që Rrapi të vazhdojë gjykimin e çështjes për Statutin e 2 shtatorit, i cili u miratua nga ana e Bashës.

Logu: Ambicia e Bashës për t’u bërë kryetar, thjesht ëndërr

Përfaqësuesi i ankimimit të bërë nga ana e Gazmend Bardhit, Marash Logu, ka komentuar vendimin e gjykatës për pezullimin e kërkesës së Bashës për njohje të vendimeve në Kuvendin e 2 shtatorit.

Ai tha para gazetarëve se ëndrra e Lulzim Bashës për t’u bërë kryetar i PD, kundër vullnetit të demokratëve, do vazhdojë të qëndrojë e mbyllur në sirtarin e Lindita Nikollës.

Sot, Gjykata vendosi pezullimin e çështjes për shqyrtimin e kërkesës së Lulzim Bashës për miratimin e Kuvendit Kombëtar të 2 shtatorit, duke pranuar kërkesën e grupit të deputetëve të drejtuar nga Gazment Bardhi.

Çlirim Gjata: Të gjithë po vijnë tek PD reale

Edhe juristi Çlirim Gjata ka reaguar, pasi gjykata pezulloi çështjen e kërkesës së Bashës. Ai tha ajo pjesë që e konsideron veten PD tashmë ka rënë.

Gjata theksoi se dorëheqja e Lulzim Bashës duhet të regjistrohet sa më parë të jetë e mundshme në gjykatë, duke shtuar se të gjithë po shkojnë tek PD reale.

“Derisa ata erdhën dhe kërkuan pezullimin, atë që kërkuam edhe ne, dmth që nuk duan të regjistrojnë në gjykatë ndryshimet që kemi bërë së fundmi. Duhet sa më shpejt të regjistrohet dorëheqja e Lulzim Bashës në gjykatë. Vetë pala kërkuese kërkoi pezullimin e ndryshimeve, praktikisht ka rënë ajo pjesë që e konsideron veten Partia Demokratike, nuk ekziston më. Të gjithë po vijnë tek ne. Kërkuesi kërkon pezullimin, atë që kërkon edhe vetë kundërshtuari i tij në një proces gjyqësor. Dmth ata erdhën tek ne, siç po vijnë të gjithë, tek PD reale, aty ku është shumica”, tha Gjata.

Indrit Sefa: Lulzim Basha vazhdon të jetë kryetar i Partisë Demokratike

Përfaqësuesi i PD-së Indrit Sefa ka folur, pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, për pezullimin e çështjes për shqyrtimin e kërkesës së kryedemokratit Lulzim Basha, për miratimin e Kuvendit Kombëtar të 2 Shtatorit. Sefa tha se vendimi i sotëm nuk ka të bëjë më drejtuesit e PD-së, por ishte më tepër një formalitet.

Sefa tha se megjithëse Gjykata pezulloi gjykimin e çështjes, PD do të drejtohet me statutin e miratuar në Kuvendin e 2 shtatorit.

“Duhet të jemi të qartë se KQZ njeh si kryetar të PD-së zotin Lulzim Basha. KAS ka marrë të njëjtën vendimmarrje. Pra nuk ka asnjë lidhje, në raport me përfaqësimin e PD-së dhe me organet legjitime të Partisë Demokratike. Kjo është një çështje, që në bazë të ligjit, ka një detyrim ligjor, për çdo ndryshim statutor të bërë nga PD, mund t’i paraqiten gjykatës, por pa caktuar kohë.

Ne duke qenë konfident në të gjitha vendimmarrjet e marra në Kuvendin e PD-së, dhe se gjithë dokumentacioni i përgatitur nga Partia Demokratike, është i rregullt e ligjor, iu drejtuam gjykatës. Në rast se palët e tjera nuk duan të përballen me argumente e fakte në gjykim e me dokumentet e PD-së është zgjedhja e tyre”, tha Sefa.

Edhe avokati tjetër i Bashës, Rezart Kthupi deklaroi se çështja e regjistrimit në gjykatë nuk pengon funksionimin e PD.

“Çështja e regjistrimit në gjykatë nuk pengon funksionimin e PD. Çështja gjyqësore nuk lidhet me Bashën kryetar. Procesverbalet e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Gazment Bardhit duhet të shpalleshin të pavlefshme", tha Kthupi.

PD e vulës: Vendimi vërteton se Basha është kryetar

Zëdhënësja e PD së vulës Mirela Karabina, me anë të një deklarate për mediat, foli për vendimin e gjykatës, për regjistrimin e statutit të miratuar nga Kuvendi Kombëtar i datës 2 Shtator.

Karabina theksoi se vendimi i Gjykatës së Tiranës provon se Lulzim Basha është kryetar i PD-së dhe se u refuzua të vlerësohej nëse fabula e Këshillit Kombëtar online është ndërtuar mbi akte false.

“Ende pa mbaruar procesi e pa folur gjykata është shpërndarë një deklaratë e parapregatitur me qëllim deformimin e të vërtetës. Edhe pse gjyqtari nuk ja nënshtroi vlerësimit Statutin e datës 2 shtator, deklaruesit pretendojnë se ai është rrëzuar. Deklarata të tilla të hartuara nga grupime që i kanë shpallur luftë SPAK, si gjithçka tjetër, janë thjesht mashtrime.

Çështja nuk ka lidhje fare me kryetarin e Partisë Demokratike as me funksionimin e PD-së. Ky gjykim është një procedurë normale e regjistrimit të një statuti, që në fakt në funksionimin e PD-së nuk ka asnjë rol pengues. Aleanca e kullave po bën gjithçka për të zvarritur e marrë peng një proces që nuk e ndal dot. Ky gjyq, në fakt, i nxori sërish zbuluar dhe provoi se ata janë bashkë, dhe këtë pseudo aksion e kanë të koordinuar së bashku për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe për t’i bërë presion SPAK-ut”, tha zëdhënësja e PD, Karabina.

Çfarë u vendos në mbledhjen e 2 shtatorit?

Pas përplasjeve të forta me Gazment Bardhin, Basha e ka larguar atë përfundimisht nga funksionet partiake të PD si gjënë e parë që vendosi në mbledhjen e Kuvendit. Gjatë mbledhjes u miratua Neni 48 që i jep kryetarit të partisë, Bashës, edhe postin e kreut të Grupit Parlamentar. Vendim që ka hapur përplasje edhe në Kuvend, pasi edhe Bardhi, edhe Basha pretendojnë të njëjtin post. Madje, Basha e delegoi tek Flutura Açka, por deri më tani, ajo nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të Kryesisë së Kuvendit. Një tjetër ndryshim në statutin e ri nënvizon se të gjithë anëtarët e partisë që kanë kandiduar për subjekte politike që nuk kanë qenë në koalicion me PD përjashtohen nga partia. Pra, të gjithë demokratët që kandiduan në 14 maj me Partinë e Lirisë së Ilir Metës, s'janë më pjesë e PD-së. Rrjedhimisht të gjithë kandidatët për të gjitha bashkitë e vendit./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB