
TIRANË- Kreu i qeverisë Edi Rama, në një intervistë për televizionin francez ‘France 24’, ka folur për bllokimin që Greqia i ka bërë Shqipërisë në procesin e Integrimit.
Sa i takon arrestimit të Belerit, Rama tha se ajo është një çështje që i përket drejtësisë. Sipas kryeministrit shqiptar, çështja ndaj Belerit nuk ka asnjë lidhje me shkeljen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.
Një pjesë nga intervista:
Z. Rama Shqipëria juaj ka probleme për t’u anëtarësuar në Klubin evropian. Greqia po bllokon letrën e 27 vendeve anëtare për hapjen e kapitujve. Në maj të këtij viti, kandidati për Bashkinë e Himarës, shqiptar me origjinë greke, Fredi Beleri, që kandidonte për opozitën, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve i dyshuar për blerje votash. Por akuzoheni ju se po e pengoni të zgjidhet kryetar bashkie për të mbajtur nën kontroll lejet në këtë zonë bregdetare në zhvillim e sipër. Si përgjigjeni ju?
Edi Rama: Unë nuk dua t’i futem kësaj polemike. Sinqerisht nuk besoj se ky bllokim do të qëndrojë, sepse nuk do të ishte serioze. Nga ana tjetër, është vetëm çështje e drejtësisë. Nëse shikoni raportin e progresit, Shqipëria vlerësohet vërtet mirë për çështjet e reformës në drejtësi. Unë jam shumë i kënaqur sepse Shqipëria është vendi më i përparuar në të gjithë Ballkanin për këto çështje.
Megjithatë në vendin tuaj ndodhet edhe minoriteti grek afërsisht 1% të popullsisë. A shpresoni të pajtoheni me Greqinë?
Edi Rama: Dëgjoni, me Athinën kemi marrëdhënie strategjike dhe nga ana tjetër, kur flisni për minoritet grek, dua të saktësoj sikurse e thatë, kandidati ishte shqiptar me origjinë greke, edhe kundërshtari i tij në zgjedhje ishte po ashtu shqiptar me origjinë greke. Atëherë s’mund të jetë një çështje minoriteti grek kjo!
Athina i ka bërë vazhdimisht thirrje Shqipërisë që ta lejojë Fredi Belerin të bëjë betimin, duke e cilësuar si të motivuar politikisht dhe etnikisht. Qeveria shqiptare ka thënë se nuk mund të ndërhyjë në proceset gjyqësore dhe sistemi i drejtësisë duhet të ndjekë rrugën e tij.
Ndërsa një javë më parë, media greke Kathimerini raportoi se Athina kishte refuzuar të firmoste një letër që i kërkonte Komisionit të hapte pesë kapitujt e parë të negociatave.