
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka komentuar aksionin e opozitës sot në Kuvendin e Shqipërisë. Në rrjetet e tij sociale, Bardhi iu përgjigj edhe komentit të kryeministrit Edi Rama, i cili tha se opozita kishte prekur fundin. Bardhi shton se Rama kishte futur në sallën e Kuvendit 65 gardistë për të mbrojtur maxhorancën.
"Edi Rama futi në politikë e parlament përfaqësues të krimit të organizuar, trafikantë, vrasës e hajdutë, duke e bërë Shqipërinë të vetmin vend në Europë që kishte nevojë për miratimin e një ligji për dekriminalizimin e politikës. Sot si një frikacak i kapur në flagrancë me aferat korruptive miliona euro që hetohen e gjykohen çdo ditë nga drejtësia, kishte futur në sallën e Kuvendit 65 gardistë, për ta mbrojtur ndërsa miratonte si manikin buxhetin që financon vetëm PPP korruptive dhe projektet që injektojnë më shumë para për tenderat që kontrollohen nga krimi i organizuar,"- shkruan Bardhi në rrjetet e tij sociale.
Ndërkohë në kometin e tij Rama tha sot se opozita ka prekur fundin, duke theksuar se kanë sjellë sherr, rrëmujë dhe humbje.
“I futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve, duke mbjellë sherr, rrëmujë, dhunë dhe korrur humbje, humbje, humbje… Tanimë kanë prekur fundin, ku i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia, që nuk do t’i lëshojë derisa të shkërmoqen e të ridalin copa e çika mbi ujë, si mbeturinat e një anijeje të mbytur”, shkruan Rama në X.
Sot, mes tymueseve, karrigeve të mbledhura në Foltoren e Kuvendit, PS miratoi projektligjin më të rëndësishëm atë të pr/buxhetit 2024. Seanca ka zgjatur më pak se 5 minuta për shkak të skenarit të kaosit që deputetët e opozitës edhe kësaj here ishin të vendosur për të mos lejuar zhvillimin normal./Zëri.ai