
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar zgjedhjen e Blerina Balës, si pasuesen në detyrë të Jorgo Goros në Bashkinë e Himarës. Me anë të një postimi të bërë në rrjetet sociale, Rama tha se Bala, si kryetare në detyrë, do të jetë një zhvillim pozitiv. Por gjithashtu komentoi edhe përplasjen e sotme në mbledhjen e Këshillit Bashkiaku, ku qytetarët e Himarës u shprehën të revoltuar ndaj prefektit të qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo. Sipas kreut të qeverisë, përplasja e sotme ishte një përpjekje e dështuar për të penguar ndryshimin.
"Zgjedhja e sotme nga Këshilli Bashkiak të Himarës, me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër, e nënkryetares së bashkisë, Blerina Bala, si kryetare në detyrë është një zhvillim pozitiv për vazhdimin e punës së qeverisë vendore. Përpjekja e dështuar e një grushti individësh të nxitur për ta penguar këtë zhvillim të bazuar në detyrimin përkatës ligjor të Këshillit Bashkiak, tregoi qartë faktin e thjeshtë se shumica e madhe e himariotëve nuk i përkasin llogores së konfliktit, përçarjes dhe amplifikimit absurd të një sherri primitiv, i cili ushqehet për interesa dhe hesape që s’kanë asnjë lidhje me interesat e Himarës,"-shkruan Rama në postimin e tij.
POSTIMI I RAMËS:
Zgjedhja e sotme nga Këshilli Bashkiak i Himarës, me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër, e nënkryetares së bashkisë, Blerina Bala, si kryetare në detyrë është një zhvillim pozitiv për vazhdimin e punës së qeverisë vendore.
— Edi Rama (@ediramaal) March 29, 2024
Përpjekja e dështuar e një grushti individësh të nxitur…
Blerina Bala u votua për të drejtuar Bashkinë e Himarës, me 16 vota pro. Kandidati tjetër, nënkryetari tjetër i Bashkisë së Himarës, Pervin Gjikuria, u tërhoq gjatë procesit të votimit. Mbledhja nisi dy herë, pasi herën e parë në sallën e Këshillit Bashkiak pati tensione, sidomos në momentin kur aty hyri Vangjel Tavo dhe Blendi Klosi. Madje një prej qytetarëve e sulmoi duke e pështyrë në fytyrë Tavon, duke sjellë edhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit./ZËRI