
TIRANË- Sekretariati i Etikës në Kuvend, ka vendosur anulimin e votimit të seancës të datës 7 Mars, për shkak se nuk kishte kuorumin e nevojshëm. Në mesin e ligjeve që anulohen, ose do të rikalohen për rivotim është dhe ai për investimet strategjike.
Grupi i PD pretendoi se të gjitha ligjet e votuara në seancën e 7 marsit duhet të shpalleshin të pavlefshme, për shkak se nuk ishte plotësuar kuorumi i nevojshëm në Kuvend.
Kërkesa e demokratëve është pranuar sot në sekretariatin e Etikës.
Projektligjet dhe ligjet e anuluara, pritet që të kalojnë për votim në një seancë të dytë në Kuvend.
Në seancën e datës 7 Mars, votuan vetëm 68 deputetë, por sipas rregullores duhet të ishin së paku 71 deputetë.
Deputeti demokrat Saimir Korreshi, duke folur pas vendimit të sekretariatit të etikës, tha se kjo është një fitore e vogël, ndërsa shtoi se do bëjnë edhe verifikime të tjera pasi të tilla vendime mund të jenë marrë edhe mëparë.
“Sot është një fitore e vogël në dukje. Do verifikojmë të gjitha votimet sepse të tilla vendime mund të jenë marrë edhe më parë. Deputetët e mazhorancës të lënë qejfet e të vijën të votojnë ligjet që kanë propozuar”, tha Korreshi.
/ZËRI