
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha, në një deklaratë që ka bërë sot për mediat, është ndaluar në dosjen e SPAK në ngarkim të tij, dhe të ish-dhëndrit Jamarbër Malltezi, ku në një pikë të se cilës analizohej dhe zgjedhja e drejtoreshës së Agjensisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave.
Sipas Berishës, marrja në pyetje e Justina Boriçit është bërë me metoda të komunizimit nëse e njihte apo jo personin e tij. Në dosjen e SPAK, Boriçi deklaronte se ajo ishte e habitur me emërimin që i kishte bërë Berisha, ndërkohë që disa prej vartësve të saj pretendonte se ishin zgjedhur me rekomandim nga lart.
“Edi Rama dhe larot e tij skapistë ndalen me paturpësi në emërimin e një zonje të nderuar të cilën e marrin në pyetje si në një stacion të policisë sekrete nëse e njihte Sali Berishën”, u shpreh Berisha në konferencën e sotme.
Ndërkohë që Berisha në fjalën e tij sulmoi dhe ish-drejtorin e Kadastrës Artan Lame, i cili sipas ish-kryeministrit, ka vjedhur 13 mijë tituj pronash nga ky institucion. Ai u shpreh se Lame së bashku me “hajdutët e tij” ka zhdukur 13 mijë titujt me pretendimin se kishte “çrregullime”.
Berisha shtoi se Lame do japë llogari për çdo titull që ka vjedhur në regjistrin digjital të Kadastrës sepse sipas tij fatmirësisht ka një arkivë për to.
“Edi Rama dhe larot përdorën argument ndaj meje ndryshimin e institucioneve për kthimin e pronave. Në këtë rast shtoj se ishte ky model që arriti në digjitalizimin e Kadastrës. Proces të cilin pas certifikimit nga Banka Botërore, kjo e fundit e rekomandoi edhe për vende të tjera.
Në këtë Kadastër digjitale, Artan Lame dhe hajdutët e tij kanë zhdukur 13 mijë tituj pronash me pretendimin se kishte çrregullime. Artan Lame do japë llogari për çdo titull që ka vjedhur në regjistrin digjital sepse ka një arkivë fatmirësisht”, u shpreh ai.