
TIRANË-Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka komentuar këtë të martë marrëdhënien me kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta. I pyetur nga gazetarët nëse ka një krisje në koalicionin e tyre pas deklaratës së një dite më parë nga kreu i PL-së, Berisha e mohoi duke lënë të kuptohet se gjithçka është në rregull.
Sipas tij nuk ka asnjë krisje në koalicionin e tyre. Deklaratën Berisha e bëri pas mbledhjes së grupit parlamentar.
Sali Berisha: Asnjë krisje, ajo është një ftesë. Ai ka treguar me këtë vendosmërinë e tij të palëkundur për betejën e tij politike dhe e përshëndes.
Ka qenë deklarata e djeshme e Metës ajo që trazoi ujërat opozitarë. Gjatë një interviste televizive, Meta tha se PL duhet të përgatitet sikur të dalë e vetme në zgjedhje. Kjo deklaratë u mor si një mesazh 'ndarjeje".
Ilir Meta: Koalicioni "Bashkë Fitojmë" bëri përpjekjet më të mira për atë kohë dhe ato rrethana. Sa i përket të ardhmes Partia e Lirisë është e hapur për të bashkëpunuar me Partinë demokratike të 11 dhjetorit. Jemi ende në kohë për të marrë vendimet e duhura dhe është detyra jonë që në çdo rast të përgatitemi sikur do të hyjmë vetëm si Parti e Lirisë.
Zeri.ai e kontaktoi Metën, i cili u shpreh se ishin keqkuptime.
Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha dhe Partia e Lirisë kanë lidhur një marrëveshje koalicioni para zgjedhjeve vendore të 14 majit. Mungesa e "vulës" së partisë ka "detyruar" Sali Berishën që në zgjedhjet vendore të 14 majit, të pjesshmet e Kukësit dhe Rrogozhinës të futet me firmën e Ilir Metës nën logon e koalcionit "Bashkë Fitojmë"./Zëri.ai