
VLORË- Vlora ka qenë sot kryeyqyteti i shqiptarëve por edhe i politikës. Përveç krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, i pranishëm sot në qytetin e Vlorës, në ditën e Pavarësisë, ka qenë dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nuk ishte pjesë e ceremonisë zyrtare, megjithëse vendosi lule në varrin e Ismail Qemalit. Berisha deklaroi se nuk kishte marrë ftesë për të qenë pjesë e ceremonisë zyrtare, por edhe nëse do të kishte pasur, do ta refuzonte.
Kryedemokrati tha se shqiptarët kudo që ndodhen “do ta paketojnë Ramën dhe do ta dërgojnë në Beograd. Ky është një betim solemn përpara babait të Pavarësisë! Gëzuar të gjithë shqiptarëve kudo që janë festën e Pavarësisë”.
“Sot mbarë shqiptarët kudo që janë përulen me mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh, para veprës së pavdeshme të Ismail Bej Vlorës, ditës së Flamurit Kombëtar, dita e të gjitha ditëve të kombit shqiptar. Me aktin e tij të një kurajo dhe vizioni të jashtëzakonshëm, bëri të mundur ekzistencën e Shqipërisë.
Pa këtë akt shqiptarët i prisnin greminat e historisë. Unë erdha këtu për tu betuar para varrit të Ismail Qemalit, se Pashiqi shqiptar që sapo ka vendosur kurorën aty e ka të fundit, se shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë, kudo që ndodhen, do ta paketojnë atë për në Serbi, atje ku e ka vendin. Tradhëtar si ky vendi nuk ka pasur ndonjëherë, të shkojë në Beograd te padroni i tij”, tha mes të tjerave Berisha.
I pyetur nga gazetarët mbi praninë e Kurtit në krah të Ramës në ceremoni, Berisha u shpreh: Epo ndonjëherë duhet ti thuash derrit dajë!
Në fundin e komunikimit me gazetarët, Berisha shtrëngoi duart me të gjithë qytetarët e pranishëm, dhe mbështetës të tij në Vlorë. /Zëri