
TIRANË- Pas mbylljes së seancës në Kuvend, shërbimet e Parlamentit kanë hequr energjinë elektrike, duke i lënë deputetët e opozitës në terr. Në këtë moment nuk kanë munguar thirrjet radikale të deputetit Flamur Noka, i cili është shprehur se në rast se energjia nuk do të rikthehej, ata do të shkonin deri aty sa do të digjnin sallën e Kuvendit.
“Nëse nuk doni që të digjet salla, ktheni energjinë elektrike”, është shprehur Noka, ndërkohë që ish-kryeministri Sali Berisha e vijon fjalën e tij në terr.
“Kjo është dita jonë e parë e përballjes me këta gangsterë është shprehur Berisha. Shqiptarëve iu është vjedhur vota e lirë, dhe është koha që ne tjua kthejmë atë”, ka deklaruar Berisha.
Berisha gjatë fjalës së tij akuzoi Ramën për lidhje të dyshimta, ndërkohë që akuzoi se qeveria që ai drejton ka vendosur vetëm rekorde të zeza për Shqipërinë.
“Fikën dritat dhe u larguan por natyrisht me këtë akt dëshmuan edhe njëherë se çfarë përfaqësojnë. Në Parlament do të zhvillohet një nga betejat më të fuqishme në historinë e demokracisë shqiptare, e cila sot është fiktivitet, Kurrë në 32 vite nuk iu është caktuar përfaqësuesi i opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Ai përfaqëson interesat e tij më të ngushta dhe më të dyshimta me Ramën. Është dita e parë e betejës sonë, e kemi detyrim ndaj jush. Ju votuar me kurajo kundër qeverisë, e cila ka rekordet me të zeza në mjerimin e shqiptarëve, krimin dhe drogën, në pasurimin e kryeministrit, ministrave dhe familjarëve të tyre me pasuritë publike e fondet e buxhetit të shtetit, me lidhjet e grupeve të drogës, nga Sinaola në Ekuador, ka rekordet më të zeza në liritë dhe të drejtave të qytetarëve”, tha Berisha mes të tjerave në fjalën e tij.
Seanca e Kuvendit u mbyll pas 20 minutash, ndërkohë që deputetët socialist u shprehën se e gjitha kjo betejë bëhet për interesa personale të Sali Berishës./Zëri.ai