
TIRANË-Kundërshtarë në politikë, por kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha janë bërë bashkë kundër rritjes së pagave të gjyqtarëve. Unioni i Gjyqtarëve ka kërkuar përsëri rritjen e nivelit të pagave me 700 euro, duke marrë shkas nga rritja që Qeveria i bëri rrogave të administratës. Por kërkesa e tyre është kundërshtuar nga të dyja palët, edhe nga keu i qeverisë, por edhe nga ai i opozitës.
I pari që reagoi kundër kësaj, ishte kryeministri Edi Rama, i cili një ditë më parë më 11 qershor, dënoi kërkesën e Unionit. Rama me anë të një deklarate në rrjetin social 'X', u shpreh se kjo kërkesë është një praktikë e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve. Ai e quajti kërkesën, “shaka” për të cilën fillimisht mazhoranca socialiste heshti, por tani nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.
"Tani, unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet. Sepse heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne. Për më tepër, në këtë rast ky do të ishtë një abuzim madhor, shumëdimensional, që do të cënonte shumëkënd e shumëçka, duke nisur nga vetë Kushtetuta dhe serioziteti i Republikës së Shqipërisë,"-shkruan ndër të tjera, Rama.
Mendimin e Ramës, duket se e ka mbështetur edhe vetë kreu i PD Sali Berisha, i cili është pozicionuar kundër rritjes së pagave të gjyqtarëve e prokurorëve. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha komentoi kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se, pavarësisht se ata kanë sot pagat më të larta, fenomeni i korrupsionit në gjyqësor vetëm është rritur. Berisha tha se pagat e gjyqtarëve sot janë më të lartat në Ballkan.
“Prokurorët dhe gjykatësit në Shqipëri paguhen më shumë se kolegët e tyre në Ballkan dhe njësoj me ata në disa vende të Europës. Nuk ka gjë më absurde dhe kjo vetëm sa u ka rritur oreksin. Në qoftë se gjeni një qytetar që u thotë se po më ecën procesi gjyqësor pa ryshfet, urdhëroni. Sot ryshfeti ka marrë përmasat më gjigante në historinë e shtetit”, tha Berisha.
Çfarë ka ndodhur?
Unioni i Gjyqtarëve ka kërkuar përsëri rritjen e nivelit të pagave, duke marrë shkas nga rritja që Qeveria i bëri rrogave të administratës. Unioni i Gjyqtarëve e ka depozituar kërkesën në datën 3 Mars 2025 në Gjykatën Kushtetuese, ku aktualisht e ka kaluar seancën paraprake dhe në mes të muajit Qershor pritet të mbahet seanca për shqyrtimin e saj. Unioni i Gjyqtarëve mendon se ka të drejtë të kërkojë këtë rritje të pagave, ndërsa pritet vendimi që do të marrë Kushtetuesja.
Në vitin 2023, paga bazë e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga 118 100 lekë shkoi në 153 000 lekë. Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje nga Unioni i Gjykatave pas një auditimi të KLSH-së në vitin 2020 në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Sipas raportit të KLSH, ligji ishte interpretuar në mënyrë të gabuar, duke u mohuar gjyqtarëve dhe prokurorëve 14 mijë lekë në muaj. Sipas KLSH-së, paga e tyre duhet të ishte 132.100 lekë nga 118.000 lekë që ishte llogaritur.
Ndryshimet ligjore të depozituara nga qeveria në Kuvend ndryshuan kategorinë që do merret si referencë për pagën bazë. U vendos që si referencë nuk do merret paga e sekretarit të përgjithshëm, por paga e presidentit, meqenëse kreu i shtetit duhet të ketë pagën më të lartë në piramidën e shtetit shqiptar. Kështu nga 4 250 00 lek në muaj ose rreth 4 mijë euro që paguhet presidenti, rroga për gjyqtarët dhe prokurorët duhet të jetë sa koeficientit që del nga shumëzim i 0.36 me pagën e e Presidentit të Republikës, konkretisht 153 000 lekë në muaj. Por, ndryshimet ligjore kanë vendosur një kusht, sipas të cilit indeksimi i kësaj page nuk mund të bëhet më vonë se dy vite nga indeksimi i fundit./ZËRI