Bota

Pse Izraeli e sulmoi pikërisht tani Iranin?

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u befasua kur SHBA-të (nën drejtimin e Trump) nisën bisedimet për marrëveshjen bërthamore me Iranin.

F.I
Pse Izraeli e sulmoi pikërisht tani Iranin?
FOTO ILUSTRUESE

IRAN-Sulmi i Izraelit ndaj Iranit jo vetëm që ka qenë më i gjerë dhe më intensiv sesa dy operacionet e tij të mëparshme ushtarake vitin e kaluar, por duket gjithashtu se ka miratuar një pjesë të strategjisë që u përdor në ofensivën izraelite kundër Hezbollahut në Liban nëntorin e kaluar.

Pse Izraeli e sulmoi Iranin pikërisht tani? Ka tri arsye për këtë, shkruan Corriere della Sera, që mund të ndryshojnë tërësisht gjendjen në Lindjen e Mesme.

Së pari, negociatat SHBA-Iran janë në ngërç

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u befasua kur SHBA-të (nën drejtimin e Trump) nisën bisedimet për marrëveshjen bërthamore me Iranin. Ai madje e mësoi lajmin gjatë një konference për shtyp, duke e cilësuar një “moment poshtërimi”.

Pas kësaj, SHBA dhe Irani nisën të dërgojnë mesazhe pozitive ndaj njëri-tjetrit, aq sa u nënshkrua një armëpushim me rebelët Houthi në Jemen. Ndërkohë, Trump ishte gjithnjë e më i pakënaqur me luftën e përgjakshme të Izraelit në Gaza, që po pengonte planet e tij për paqe në rajon.

Megjithatë bisedimet SHBA-Iran u bllokuan. Irani nuk pranoi të ndalojë plotësisht pasurimin e uraniumit dhe SHBA nuk pranon kurrsesi të heqë menjëherë sanksionet ekonomike.

Së dyti, raporti i AIEA-së që i jep të drejtë Izraelit

Në mes të këtij ngërçi, një raport i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA) tregoi se Irani ka rritur ndjeshëm rezervat e uraniumit, që mund të përdoret për armë bërthamore. Kjo ishte një fitore e madhe për Netanyahu-n, i cili prej vitesh paralajmëronte për rrezikun bërthamor iranian, por nuk merrej seriozisht. Tani, për herë të parë, një institucion ndërkombëtar e mbështeti pretendimin e tij.

Gaza hiqet nga “fokusi”

Sulmi ndaj Iranit ndodhi në një kohë shumë të vështirë për Netanyahu-n. Lufta në Gaza po e bën Izraelin gjithnjë e më të izoluar ndërkombëtarisht. Bashkimi Europian po mendon të pezullojë marrëveshjet me Izraelin, ndërsa Franca dhe Arabia Saudite po përgatisin një konferencë në OKB për të njohur shtetin palestinez, një veprim që do të godiste politikën e viteve të fundit të Netanyahu-t. Ky sulm ndaj Iranit mund të largojë vëmendjen nga Gaza dhe t’i shtyjë ose ndalojë këto iniciativa diplomatike.

Netanyahu po përballet edhe me presion nga partitë fetare në Izrael që duan të largohen nga qeveria për shkak të ligjit që do të detyrojë studentët e shkollave fetare të shkojnë në ushtri si gjithë të tjerët. Lufta ndaj Iranit i zbut këto tensione, të paktën përkohësisht.

Poll

MOS HUMB