Politikë

Mjetet motorike! Qeveria miraton kushtet e “KAYO”-s me shoqëritë private, jo më pak se 15 mln € investim

Investimi minimal i kërkuar është 15 milionë euro dhe 150 vende të reja pune brenda 3 viteve.

F.I
Mjetet motorike! Qeveria miraton kushtet e “KAYO”-s me
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Këshilli i Ministrave të Shqipërisë ka marrë vendimin për miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë “KAYO” për prodhimin ose përshtatjen e mjeteve motorike të posaçme që do të prodhojë ose përshtasë për ushtrinë, strukturat e sigurisë dhe emergjencat civile. Investimi minimal i kërkuar është 15 milionë euro dhe 150 vende të reja pune brenda 3 viteve.

Konkretisht sipas vendimit të qeverisë, “KAYO” do të ketë një pjesëmarrje “jo më të ulët se 45% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët”, që do të krijojë me shoqëri private. Ajo do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar me pasuri të paluajtshme në masën jo më pak se 20 mijë metra katrorë që do t’i vihen në përdorim shoqërisë së përbashkët në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil, por pa të drejtë tjetërsimi.

Gjatë procesit të negocimit, shoqëria “KAYO” siguron nga subjekti me të cilin negocion minimalisht një vlerë investimi jo më të ulët se 15 milionë euro në harkun kohor të tre vjetëve, punësimin e jo më pak se 150 punonjësve në të njëjtin hark kohor si dhe ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të mjeteve të blinduara sipas nevojave të ushtrisë shqiptare dhe standardeve të NATO-s. “KAYO” duhet edhe të sigurojë edhe një rrjet të shpërndarjes së produkteve në rast eksporti.

VKM:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ky vendim ka për objekt miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., me shoqëri tregtare private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim, me qëllim, mes të tjerave, prodhimin ose përshtatjen e mjeteve motorike të posaçme për t’u përdorur nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e sigurisë dhe të emergjencave civile.

2. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të ketë një pjesëmarrje jo më të ulët se 45% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private, sipas këtij vendimi.

3. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar, me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 m2, që do t’i vihen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.

4. Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti me të cilin negocion, minimalisht:

a) një vlerë investimi jo më të ulët se 15 milionë euro në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve;

b) punësimin e jo më pak se 150 (njëqind e pesëdhjetë) punonjësve në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve;

c) ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të mjeteve të blinduara, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të standardeve të NATO-s;

ç)  sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve, në rast eksporti.

5. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e mjeteve ushtarake dhe mjeteve për përdorim nga strukturat e sigurisë e të emergjencave civile.

6. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se administratori/ët i/e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërcituara, zgjidhen/t me dakordësinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.

7. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se minimalisht 50% e këshillit drejtues ose këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.

8. Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të pikës 9, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.

9. Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë negociatave ofron nëpërmjet strukturave të ruajtjes dhe sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë garancinë e sigurisë fizike të ambienteve të prodhimit të mjeteve ushtarake, të dhënat teknike dhe tregtare në lidhje me këto mjete dhe sigurimin e çdo informacioni teknik dhe projektimi të këtyre mjeteve, në përputhje me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e tyre.

10. Autorizohen shoqëria “KAYO”, sh.a., dhe shoqëria private, me të cilën do të bashkëpunojë, të furnizojnë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë me mjetet që do të prodhohen nëpërmjet shoqërisë që do të krijohet, në përputhje me këtë vendim.

11. Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”,  sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

Kompania u themelua në vitin 2024, duke trashëguar kapacitetet prodhuese të Uzinës së Lëndëve Plasëse Mjekës, Uzinës Mekanike Gramsh dhe Kombinatit Mekanik Poliçan. Ajo operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë, duke ofruar produkte dhe shërbime për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe tregjet ndërkombëtare. Qëllimi është të krijojë një treg efikas dhe konkurrues për industrinë ushtarake, të integruar në tregjet rajonale dhe globale./ZËRI

Poll

MOS HUMB