
TIRANË- Unioni i Gjyqtarëve ka kërkuar përsëri rritjen e nivelit të pagave, duke marrë shkas nga rritja që Qeveria i bëri rrogave të administratës. Por kërkesa nuk është pritur shumë mirë nga i pari i qeverisë, kryeministri Edi Rama. Pasi është njohur me kërkesën e bërë nga Unioni, të cilët kanë ndjekur praktikën e një precedenti të kaluar, Rama ka bërë edhe një reagim. Në rrjetin e tij social "X", Rama është shprehur se kjo kërkesë është një praktikë e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve. Duke marrë parasysh vendimin e fundit për këtë çështje të Gjykatës Kushtetuese, të cilin Rama e cilëson si një ndërhyrje skandaloze në kompetencat e ekzekutivit, kreu i qeverisë dënon kërkesën e Unionit.
"Unioni kërkon që paga bazë të lidhet vetëm me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri dhe kërkon sërish ndryshimin e ligjit. Ndërkohë që në vitin 2022 Unioni donte garantimin e një shume bazë pavarësisht çdo llogaritjeje, sot kërkon që, si pasojë e rritjes së pagës së administratës, t’u rritet paga edhe gjyqtarëve – dhe jo pak, por plot 700 euro! Domethënë, ky Unioni e kuptoka si një privilegj të përjetshëm faktin që për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit dhe fuqizuar gjykatësit e dalë nga Vetingu, ne me Reformën në Drejtësi i rritëm pagat e sistemit të drejtësisë menjëherë sa për dhjetë vjet njëzetë vjet, duke e thyer me vetëdije piramidën e pagave të Republikës së Shqipërisë,"-shkruan Rama në postimin e tij.
Për të njëjtën kërkesë, kryesocialisti parashikoi se çështja do të shkojë sërish në Kushtetuese, ndërsa shton se uron që "shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë", të mos përsëritet. Pra që Kushtetuesja të mos vendosë sërish në favor të rritjes së pagave.
"Heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne. Për më tepër, në këtë rast ky do të ishtë një abuzim madhor, shumëdimensional, që do të cënonte shumëkënd e shumëçka, duke nisur nga vetë Kushtetuta dhe serioziteti i Republikës së Shqipërisë,"-shtoi Rama.
POSTIMI I RAMËS:
Interesante! Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve kërkon sërish rritjen e pagave në gjykatë! Një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve – që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës – por që ka ndodhur në Shqipëri, në vitin 2022, kur ky Union kërkoi në Gjykatën Kushtetuese që paga bazë e gjyqtarëve të ekuivalentohej ose me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë ose me një përqindje të pagës së Presidentit, sipas dëshirës së gjyqtarëve. Dhe Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën - me një shurdhëri mbresëlënëse ndaj argumentave të kundërshtimit të fortë të qeverisë si palë në gjyq - duke garantuar një pagë bazë të lidhur prej 156.000 lekësh! Mirëpo kjo ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit, mesa duket, i ka shijuar Unionit aq shumë, sa pas rritjes së pagave të administratës në maj të vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve tani rikërkon përsëri nga Gjykata rritjen e pagave të gjyqtarëve! Këtë herë, Unioni kërkon që paga bazë të lidhet vetëm me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri dhe kërkon sërish ndryshimin e ligjit. Ndërkohë që në vitin 2022 Unioni donte garantimin e një shume bazë pavarësisht çdo llogaritjeje, sot kërkon që, si pasojë e rritjes së pagës së administratës, t’u rritet paga edhe gjyqtarëve – dhe jo pak, por plot 700 euro! Domethënë, ky Unioni e kuptoka si një privilegj të përjetshëm faktin që për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit dhe fuqizuar gjykatësit e dalë nga Vetingu, ne me Reformën në Drejtësi i rritëm pagat e sistemit të drejtësisë menjëherë sa për dhjetë vjet njëzetë vjet, duke e thyer me vetëdije piramidën e pagave të Republikës së Shqipërisë! Pra, sipas Unionit kjo republikë do jetë përjetësisht e vetmja në botë, ku gjykatësit nuk do ta lejojnë ngjitjen e piramidës së thyer të pagave, sepse ndryshe nga gjithë bota në Shqipëri pagat e tyre nuk do rriten me qeveri e parlament, po me gjyq!!!… Tani, unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet. Sepse heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne. Për më tepër, në këtë rast ky do të ishtë një abuzim madhor, shumëdimensional, që do të cënonte shumëkënd e shumëçka, duke nisur nga vetë Kushtetuta dhe serioziteti i Republikës së Shqipërisë.
Në vitin 2023, paga bazë e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga 118 100 lekë shkoi në 153 000 lekë. Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje nga Unioni i Gjykatave pas një auditimi të KLSH-së në vitin 2020 në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Sipas raportit të KLSH, ligji ishte interpretuar në mënyrë të gabuar, duke u mohuar gjyqtarëve dhe prokurorëve 14 mijë lekë në muaj. Sipas KLSH-së, paga e tyre duhet të ishte 132.100 lekë nga 118.000 lekë që ishte llogaritur.
Por duke qenë se nga Ministria e Financave nuk pati vullnet për të reflektuar konstatimin dhe rekomandimin e KLSH-së. Në këto kushte, gjyqtarët dhe prokurorët e fituan betejën në Kushtetuese.
Ndryshimet ligjore të depozituara nga qeveria në Kuvend ndryshuan kategorinë që do merret si referencë për pagën bazë. U vendos që si referencë nuk do merret paga e sekretarit të përgjithshëm, por paga e presidentit, meqenëse kreu i shtetit duhet të ketë pagën më të lartë në piramidën e shtetit shqiptar. Kështu nga 4 250 00 lek në muaj ose rreth 4 mijë euro që paguhet presidenti, rroga për gjyqtarët dhe prokurorët duhet të jetë sa koeficientit që del nga shumëzim i 0.36 me pagën e e Presidentit të Republikës, konkretisht 153 000 lekë në muaj. Por, ndryshimet ligjore kanë vendosur një kusht, sipas të cilit indeksimi i kësaj page nuk mund të bëhet më vonë se dy vite nga indeksimi i fundit./ZËRI