
BRUKSEL- Zëdhënësi i Bashkimit Europian Peter Stano duke komentuar situatën e tensionuar diplomatike mes Athinës dhe Tiranës, që lidhet me arrestimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri tha se Brukseli nuk ndërhyn në marrëdhëniet dypalëshe. Stano kërkoi që të respektohet ligji ndërsa u shpreh optiminist në arritjen e një zgjidhjeje.
Për mediat greke, Stano deklaroi se Shqipëria i ka “instrumenmtat dhe mjetet për t’i dhënë zgjidhje problemeve ose mosmarrëveshjeve të tilla, në mënyrë që të mos krijojnë krisje të panevojshme në marrëdhëniet dypalëshe dhe të mos i ngrenë çështjet bilaterale në nivel unioni, si për shembull në procesin e anëtarësimit”.
Peter Stano: Ne nuk hyjmë në mosmarrëveshje dypalëshe pasi kemi besim tek aftësia e aktorëve, sidomos nëse aktorët janë shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet që do të jenë pjesë e saj, për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë që të ketë përfitim reciprok, duke zbatuar parimet dhe rregullat. Në këtë rast zbatohet sundimi i ligjit, ligji duhet të respektohet dhe nëse ka dyshime, shtetet anëtare të BE-së dhe gjithashtu shtete si Shqipëria i zotërojnë instrumentet dhe mjetet për t’i dhënë zgjidhje problemeve ose mosmarrëveshjeve të tilla, në mënyrë që të mos krijojnë krisje të panevojshme në marrëdhëniet dypalëshe dhe të mos i ngrenë çështjet bilaterale në nivel unioni, si për shembull në procesin e anëtarësimit.
Fredi Beleri akuzohet për korrupsion zgjedhor, pasi pagoi një qytetar i cili dëshmoi se mori para dhe ia dha qytetarëve në këmbim të votave. Arrestimi i tij është bërë dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit. Kjo ngjarje solli reagime edhe nga pala greke, e cila ka bërë shpesh thirrje për lirimin e Belerit. Athina ka ashpërsuar qëndrimin e saj në lidhje me kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në lidhje me çështjen Beleri./ZËRI