
TIRANË- Kjo e enjte do të sjellë seancën e tretë në Gjykatën e Posaçme, ku do të shqyrtohet masa e sigurisë që do të vendoset në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha. Seancat janë zvarritur për dy ditë për shkak se avokatët mbrojtës të Berishës kanë bërë dy kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga seanca në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, me pretendimin se ajo është në konflikt interesi.
Seanca e sotme do të mbahet rreth orës 15:00, ku sërish Berisha do të përfaqësohet në gjykatë vetëm nga avokatët e tij.
Seanca e ditës së djeshme u shty pasi gjyqtarja Irena Gjoka, e gjeti veten në pamundësi për të shpallur vendimin, pas kërkesës së dytë të bërë nga avokatët për përjashtimin e saj. Kjo kërkesë sipas avokatëve erdhi sepse gjyqtarja Irena Gjoka, rrëzoi dy kërkesa të tyre.
“Ne bëmë një kërkesë që ju mediat të ishit prezent, vazhduam me gjykimin incidental. I kërkuam gjykatës ta cojë në gjykatën kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e ka lënë të pa gjykuar në themel. Seanca sot ka qenë pa mbaruar mirë kërkimin ne, vinte vendimi i gjykatës me propozimin e saj. Me autorizimin e Ramës dhe kësaj mazhorance sipas atij autorizimi vazhdoi dhe gjyqi”, tha dje avokati Gjokutaj.
Gjatë seancës, mbrojtja kundërshtoi edhe kërkesën e SPAK për mbikëqyrje policore dhe ndalimin e kontakteve për Berishën. SPAK kërkon ashpërsimin e masës së sigurisë për ish-Kryeministrin Sali Berisha me argumentin se ai nuk zbatoi masën e parë, atë të detyrimit për t’u paraqitur.
Nëse GJKKO pranon kërkesën e SPAK, Berisha do të mbahet me mbikqyrje të policisë te dera, si dhe do ti ndalohen kontaktet me çdo person që nuk jeton me të, qofshin këta dhe familjarë të afërt të tij. I pyetur për këtë fakt gjatë ditës së djeshme, kur dëshmoi për Gërdecin, Shkëlzen Berisha tha se do të bënte çmos për të takuar babanë e tij.
-
A jetoni me babanë tuaj? Shkëlzen Berisha: Do bëj çmos për ta takuar
27 Dhjetor, 10:00
/ZËRI