
TIRANË- Vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi, në një konferencë për gazetarët ka deklaruar se është gati për t'ju futur politikës. Në konferencë, Malltezi tha se ashtu siç ka deklaruar edhe më parë, mund të "përshkallëzojë" veprimet e saj. Pra me fjalë të tjera, do të përfshihet në politikë, duke garuar për post në Partinë Demokratike.
Megjithatë deri më tani nuk ka asnjë veprim konkret të ndërmarrë nga Malltezi.
PJESË NGA KONFERENCA:
Pyetje: Keni thënë që jeni e gatshme të kandidoni në çdo pozicion në PD nëse do të jetë e nevojshme. A po iu nxit procesi ndaj zotit Berisha që të futeni në politikë?
Malltezi: Nuk ka asnjë ndryshim nga ajo që kam thënë edhe më parë, unë shpresoj që e gjithë situatë të bjerë në kufijtë e ligjshmërisë. Do të qëndroj nëse është një padrejtësi që mendoj që i duhet qëndruar. Mund ta përshkallëzoj duke kryer veprime të tjera.
Pyetje: Drejt politikës?
Malltezi: Po, drejt politikës!
Sali Berisha ndodhet në masën e sigurisë "Arrest shtëpie", dhënë nga Gjykata e Posaçme, pasi Berisha refuzoi të respektonte masën më të lehtë të sigurisë të dhënë më herët nga GJKKO, atë të "Detyrimit të paraqitjes". Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv "Partizani". Po në "Arrest shtëpie", ndodhet dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit akuzohet për "Korrupsion aktiv", dhe "Pastrim parash". Berisha dhe më herët ka kërkuar përjashtimin nga gjykimi të Irena Gjokës, por dhe leje për të shkuar në Kuvend, të dyja janë hedhur poshtë./ZËRI