TIRANË- Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, do të vizitojë Shqipërinë më 2 qershor, në kuadër të një turi zyrtar në vendet e Ballkanit Perëndimor, para Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Truri do të zgjasë nga data 1 deri më 5 qershor, me ndalesa në disa kryeqytete të rajonit.
Gjatë vizitës në Tiranës, Costa do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin e Republikës, Bajram Begaj. Në qendër të diskutimeve në Tiranë pritet të jenë procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian, integrimi gradual i vendeve të rajonit, bashkëpunimi rajonal si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit.
“Turi im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon një sinjal të qartë: angazhimi i BE-së ndaj rajonit është real; po aq real sa edhe mundësia për zgjerim. Momenti është aty. Tani është koha për të vepruar dhe për të sjellë rezultate”, tha Costa.
Ndërkohë, pas vizitës në Tiranë, ai do të udhëtojë drejt Shkupit, për takim me kryeministrin Hristijan Mickoski. Më pas, do të vijojë turin në Prishtinë, Beograd dhe Mal të Zi.
Më 5 qershor, ai do të bashkëdrejtojë Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi, i cili këtë vit do të fokusohet në temën “Prosperiteti i përbashkët dhe stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.