Politikë

“Mikrofonin fute në xhep”/ Tensionet të "Territorialja", Boçi përplaset me Maznikut dhe braktis mbledhjen (VIDEO)

Gjatë mbledhjes nuk munguan kritikat dhe përplasjet mes palëve.

zh.ll
“Mikrofonin fute në xhep”/ Tensionet të
luciano boci-arbjan mazniku

TIRANË- Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale u mblodh këtë të enjte, ku u zhvillua një dëgjesë me kryebashkiakët e qarkut të Beratit, të cilët shprehën qëndrimet e tyre lidhur me reformën. Gjatë mbledhjes nuk munguan kritikat dhe përplasjet mes palëve.

Kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, renditi kritikat e tij, duke theksuar se reforma e vitit 2014 ka dështuar. Sipas tij, shkrirja e bashkive të vogla do të sjellë shpopullim të qyteteve.

“Te kjo reformë duhet të shikoni njerëzit e varfër, jo vetëm shifrat. Doni të na ktheni në ish-kooperativa. Vërtet ato kishin eficencë, por kishin maternitet dhe qendra shërbimi. Automatikisht do të shpopulloni qytetet. Nëse bashkia sot ka 1068 biznese dhe 400 biznese të tjera, pas shkrirjes së saj nuk do të mbetet asnjë”, u shpreh kryebashkiaku i Poliçanit.

Nga ana tjetër, kryetarja e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj, u shpreh se ka bashki, përfshirë edhe atë që ajo drejton, të cilat duhet të jenë më të vogla për shkak të karakterit të tyre.

“Për reformën territoriale dhe ndarjen administrative, jam e mendimit se bashki të tilla si Dimali janë efikase në ofrimin e shërbimeve. Reforma e vitit 2014 kishte si qëllim krijimin e bashkive me qendra urbane. Ka bashki që, për shkak të karakterit të tyre, duhet të jenë më të vogla nga sa janë aktualisht, pasi lihet pas dore pjesa rurale”, tha ajo.

Ndërkohë, një përplasje e ashpër ndodhi mes dy bashkëkryetarëve të komisionit, Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi, teksa ky i fundit, në kulmin e tensioneve, braktisi mbledhjen.

Debati nisi gjatë diskutimeve në komision, kur Mazniku ndërhyri duke i kërkuar Boçit të përfundonte fjalën, me argumentin se deputetët e opozitës kishin monopolizuar diskutimin dhe nuk po i jepej hapësirë përfaqësuesve të maxhorancës. Nga ana tjetër, Boçi pretendoi se opozita kishte të drejtën e fjalës, ndërsa ndërhyrja e Maznikut përshkallëzoi tensionet.

“Nuk mund të më hiqet mikrofoni ndërsa jam duke folur. Nuk pranoj ndërprerje të tilla në komision”, u shpreh Boçi gjatë debatit, përpara se të largohej nga mbledhja.

Pjesë nga debati:

Boçi: Mund ta mbyll se nuk është etike. Jo me ma hequr mua mikrofonin…

Mazniku: Kanë folur nga ana e opozitës, nuk ka fol asnjë nga maxhoranca.

Boçi: Nuk është etike që ndërhyn në fjalën time. Tani e tepruat. Nuk po bëj pyetje, po bëj parashtrim. Unë e kuptoj se fjala pyetje ju axhiton. Ta përfundoj une.

Mazniku: Nuk mund të vazhdojë kjo histori.

Boçi: Nuk bëhet kjo sfidë në këtë formë se jemi edhe live. Në komision nuk pranoj sfida të tilla. Parashtrimin tim nuk dua të ma ndërpresë kush, asnjë deputeti s’mund t’ja ndërpresim edhe ne dhe jo më të ndërhyjmë ne si bashkëdrejtues. Këtu stop orkestra.

Mazniku: Jepni fjalën.

Boci: Mos bëj si kalama, ta mbaroj. Ça është kjo ndërhyrje.

Mazniku: Keni dy orë që nuk i jepni fjalën një personi të maxhorancës.

Boçi: Ja mbaje mikrofonin e fute në xhep. Kjo tregon autoritetin tënd.

Mazniku: Mos abuzoni me hapësirën që iu është lënë.

Boçi: Mbaje ta gëzosh.

Poll

MOS HUMB