
TIRANË- Kuvendi, tradicionalisht, është salla ku përplasen opozita dhe maxhoranca. Por së fundmi, përplasja e opozitës në gjyq për drejtuesin e selisë blu, është 'sjellë' edhe në sallë. Dje, përplasja ishte mes Lulzim Bashës dhe Gazment Bardhit. Të dy, shfrytëzuan foltoren e Kuvendit, për të akuzuar njëri-tjetrin për aleanca të fshehta. E gjithë përplasja, nisi kur Lulzim Basha kërkoi nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla që të njihte atë dhe jo Gazment Bardhin si kryetar grupi. Në fjalën e tij, Basha përmendi të ashtuquajturën “aleanca e kullave”. E përgjigje mori nga vetë Bardhi.
“Të jem i sinqertë u emocionova shumë veçanërisht nga kjo aleancën e kullave. Në fakt parafolësi është i vetmi që muajin e fundit ka marrë dy kate në një kullë (rezidenca Lion) në zonën e liqenit Artificial,”-tha Bardhi. Në vazhdën e replikës, Basha ishte i prerë: Ose Prokuroria nis hetimet për mua, ose për shpifësit!
Ndërkohë që nuk e ndalën me kaq.
Edhe jashtë sallës së Kuvendit, të dy vazhduan përplasjen. Basha evidentoi lëvizjet e Bardhit në kampet e krijuara brenda Partisë Demokratike. Basha theksoi se familjarët e tij kanë transparent çdo transaksion.
“Është një shpifje e pastër e shkollës berishiste, vjen nga një njeri që dje sulmonte babin e zenit dhe sot është bërë avokati i babait të zenit dhe aleancës së kullave. Familjarët e mi çdo transaksion e kanë transparent ndryshe nga aleanca e kullave dhe avokati tyre i ri Gaz Bardhi,”-theksoi ai.
Ndërkohë që as nga ana e Bardhit, që dikur ishte një ndër më të besuarit e tij, nuk i mungoi përgjigjia. Në emisionin “Frontline”, Bardhi tha se pasi Basha ka bërë denoncimin për kullën “Mali i Tiranës” në Prokurori, është takuar në një garazh me një nga aksionerët, biznesmenin Ilir Shtufit , të cilit pretendon se i ka kërkuar falje në një garazhd. Madje, pretendon se ka edhe pamje të këtij momenti.
Gazment Bardhi: Unë nuk kam lidhur aleancë me askënd. Me Edi Ramën s’do jem. Unë jam në aleancë me gjërat që unë besoj me qytetarët e Republikës. Jam në aleancë vetëm me veten tim. Ti po më thua mua aleancën e kullave ia thashë edhe Bashës. Për Bashën e kam informacionin pasi ka bërë denoncimin dhe e ka çuar në prokurori ka shkuar dhe është lutur në garazhd. Kjo tregon sa i vërtetë është ai. Del ditën e bën akuza kurse natën i shkon në garazhd e thotë është lojë politike. Kur i hyn betejave më mua dua të them se jam i lirë, nëse dikush shqyen gojën me baltë ndaj meje do të përballet. S’e kam betejë me të, unë shkova të bëj betejë me Ramën. Vjen Lulzim Basha dhe bën betejë me mua. Kam video kur Lulzim Basha hyn në garazhin e një oligarku.
Duke marrë parasysh akuzat dhe denoncimet, e po ashtu faktin që në QKB, rezulton se katet janë në pronësi të kunatit të Bashës, Erion Isufi, “Zëri.ai” ka kontaktuar me të dy. Lulzim Basha nuk na ka kthyer ende një përgjigje; e po ashtu as Gazment Bardhi nuk e kishte një koment për pyetjet e dërguara lidhur me rastin që vetë ai denoncoi publikisht. Të dyve, “Zëri.ai” u kërkoi një koment ose të dhëna për të sqaruar pretendimet e tyre, por kanë zgjedhur që të mos flasin në media për këtë rast. Mesa duket përplasjet i kanë lënë vetëm për në Kuvend, atje ku edhe kanë audiencën më të madhe, ndërsa sqarimin e publikut nuk e kanë çështje prioritare. Megjithatë, pas botimit të këtij lajmi, nëse ka një përgjigje, do të pasqyrohet për lexuesit e “Zëri.ai”. Deri atëherë mbetemi në pritje të një përgjigje që ka shumë pak gjasa të ndodhë…/Zëri.ai