Politikë

Sulmi terrorist në Kosovë, Abazoviç kritika ndërkombëtarëve: Politika e tyre, jo efikase

Kreu i qeverisë malazeze deklaroi se është i bindur se politika e Ramës i shërben të ardhmes europiane të Shqipërisë

D.XH
Sulmi terrorist në Kosovë, Abazoviç kritika
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç

TIRANË – Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i pranishëm në ministerialin e Procesit të Berlinit në Tiranë, në një prononcim për mediat, foli për aktin terrorist në veriun e Kosovës.

Abazoviç kritikoi edhe ndërkombëtarët për ngjarjen e rëndë. Ai tha se dihet se në Kosovë ka vende, ku kriminelët mendojnë se nuk ka ligj dhe se kjo gjë mund të ishte parandaluar nga ndërkombëtarët.

“Ne presim hetim për ngjarjen e rëndë nga autoritetet në Kosovë, Serbi dhe ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët nuk duhet të lajnë duart nga kjo punë. Sepse në Kosovë ka njerëz që mendojnë se aty nuk ka ligj. Ndërkombëtarët e dijnë këtë dhe duhet të paraprijnë. Edhe ndërkombëtarët duhet të mbajnë përgjegjësinë e tyre. Politika e tyre po del jo shumë efikase në rajon. Kur flas për këtë, e kam fjalën dhe në vazhdimësi të politikave ndërkombëtare në Ballkan, duke nisur nga gabimet që janë bërë në Bosnjë më 1995 etj.  E kemi thënë se Kosova është një shtet i pavarur. Mali i Zi e ka njohur Kosovën me territorin që e ka njohur shumica e botës, dihet se cilat janë kufijtë e shteteve në Ballkanin Perëndimor”, tha Abazoviç.

Kreu i qeverisë malazeze, Abazoviç deklaroi se është i bindur se qëndrimet e Ramës për Kosovën dhe rajonin janë në përputhje me vlerat europiane dhe se vullneti i kryeministrit shqiptar përputhet me dëshirën e shqiptarëve për të jetuar në paqe dhe për të qenë pjesë e BE-së.

“Jam i bindur se qëndrimet e Ramës janë për një rajon që është në bashkëpunim dhe në paqe. Unë mendoj se terroristët serbë në veriun e Kosovës duhet të dalin përpara drejtësisë, për llogari të Prishtinës. Nacionalizmi në Ballkan është krijuar nga bandat. Lufta kundë kriminelëve do sjellë ulje tensionesh në çdo vend në rajon. Këta njerëz që kanë marrë pjesë në aktin terrorist duhet të marrin dënime shumë të rënda”, deklaroi Abazoviç.

Më 24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur vrau policin e Kosovës Afrim Bunjaku. Në mesin e terroristëve ishte edhe ish politikani i Listës Serbe, Milan Radoiçiç. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB