Politikë

Ministrja gjermane në Tiranë: Policia e Kosovës u godit nga një bandë terroriste

Baerbock tha se të rinjtë e Ballkanit Perëndimor e dinë se e ardhmja e tyre është në Europë

Zeri
Ministrja gjermane në Tiranë: Policia e Kosovës u godit nga
Ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock

TIRANË - Ministrja gjermane në Tiranë, Annalena Baerbock mbajti një konferencë për shtyp, së bashku me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Igli Hasani dhe Komisionerin për Zgjerim i BE, Oliver Varhelyi.

Baerbock në fjalën e saj theksoi se Serbia po provokon me vendosjen e trupave serbe pranë kufirit me Kosovën. Ajo tha se sulmi ndaj Policisë së Kosovës ishte tinëzar, ndërsa kërkoi hetime për ngjarjen e rëndë të 24 shtatorit, por edhe ato ngjarje që kanë ndodhur më herët në Kosovë.

Baerbock: Tirana është një qytet i shkëlqyer dhe Shqipëria një vend po ashtu i shkëlqyer. Për të rinjtë e këtij rajoni është e qartë se e ardhmja e tyre është në Europë. Nëse Europa nuk vjen tek ata, ata do të gjejnë rrugë drejt Europës. Të gjithë duhet të përshpejtojmë rrugën drejt BE-së. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Provokimet e palës serbe e kanë nxehur dhe më tej situatën.

Kishte një sulm tinzar nga një bandë terroriste ndaj Policisë së Kosovës. Presim nga qeveria serbe që të çojë përpara proceset hetimore të ngjarjeve më 24 shtatorit, por edhe për ngjarjet në maj kundër ushtarëve të KFOR. KFOR ka rritur kapacitetet në ushtarë, ne të ardhmen e rajonit në BE e kemi për zemër. Çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe në Prishtinë.

Edhe politika në Bosnjë i fryn kaosin. Dodik po bën një politikë, që dëmton politikat e BE-së. Nuk duhet që të dekurajohemi. Të rinjtë kërkojnë që të çlirohen nga zinxhirët e së shkuarës. Ne edhe në kuadër të Procesit të Berlinit kemi arritur shumë. Zemra e integrimit është bashkëpunimi në kuadër të rajonit. Qytetarët e katër vendeve përfitojnë nga marrëveshjet, sepse bëhet fjalë për gjëra konkrete në jetën e përditshme. Për shembull për herë të parë një mjeke nga Shqipëria mund të bëhet mjeke në Serbi. Diplomat e tyre janë njësoj të vlefshme, ne duam që qytetarët europianë të mbështeten më tepër. Ne duam të ecim drejtpërdrejtë me ju në rrugën drejt BE, për këtë lipset që ne të përpiqemi bashkarisht brenda për brenda BE-së.

Ndërsa, Komisioneri për Zgjerim Varlhelyi u shpreh se BE do të vijë në Ballkanin Perëndimor dhe ndryshimi do të ndihet tek çdo qytetar e çdo biznes.

Varhelyi: BE duhet të vijë në Ballkanin Perëndimor. Procesi i Berlinit vazhdon të jetë platforma më e besueshme për integrimin e rajonit, ne po flasim për jetën e përditshme të qytetarëve dhe sesi ne do ta sjellim Europën këtu për njerëzit, ditë pas dite. Për ne zgjerimi është përparësi kyçe. Unë jam krenar të them që kemi mobilizuar rreth 15 miliardë euro në financime, kemi bërë investime serioze në Ballkanin Perëndimore. Ne po ndërtojmë rrugë, hekurudha, impiante me erë, po sjellim financime të rëndësishme për investuesit privat, ne po investojmë edhe në kapitalin njerëzor, që ekonomia juaj të jetë stabile. Në lidhje me sulmin terrorist në veriun e Kosovës, autorët duhet të përgjigjen përpara drejtësisë për veprimet e tyre kriminale. Serbia të bashkëpunojë me BE për hetimin e ngjarjes në Banjskë.

Ministri i Jashtëm shqiptar Igli Hasani deklaroi se duhet punuar fort, që hendeku ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE të ngushtohet.

Igli Hasani: Situata politike aktuale ka prodhuar sfida të shumta, që kërkojnë zgjidhje. Ky është ministeriali i fundit, në serinë e tre ministerialeve, që i paraprijnë Samitit të Procesit të Berlit. Ne duhet të marrim masa, që janë të prekshme për qytetarët në vendin tonë dhe të përgatisim vendet tona për anëtarësim, që ekonomitë tona të funksionojnë në mënyrë të sukseshme në tregun europian.

Në Tiranë, po mbahet Ministeriali i Procesit të Berlit, ku të pranishëm janë ministrat e jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit, por edhe 24 delegacione. Në Ministerial u fol dhe për sulmin terrorist më 24 dhjetor në Zveçan të Kosovës, ku një polic i Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB